Botë

Marrëveshja Kosovë – Serbi, Kurti: Duhet të zbatohet saktë dhe shpejtë

29.03.2023 13:04

Marrëveshja e arritur me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve....

Marrëveshja e arritur me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të zbatohet saktë dhe shpejt, thotë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra dhe jo të merren vetëm pjesët e preferuara nga palët, thotë Kurti.
 
“Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra. Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet. Ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë as zbatim të njëanshëm të Marrëveshjes. Prandaj, marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë duke marrë pjesët e referuara.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Ai i ka bërë këto komente duke konfirmuar takimin e katër prillit në Bruksel, në mes të dy kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi, zëvendëskryeministrit kosovar, Besnik Bislimi dhe atij serb, Petar Petkoviq.
 
“Më 4 prill në Bruksel, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Pra, ka marrëveshje, ekziston marrëveshja. Ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të saj, prandaj edhe do të organizohet një takim ndërmjet kryenegociatorëve.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
I pyetur për urgjencat eventuale në zbatim të marrëveshjes, kryeministri Kurti ka thënë se ky term vlen për çështjen e të pagjeturve. Nga lufta e fundit në Kosovë, ende mbeten të zhdukur mbi 1.600 persona pjesa më e madhe e të cilëve janë shqiptarë të Kosovës, për të cilët autoritetet në Kosovë dhe shoqatat e të zhdukurve pretendojnë se Serbia ka informacione të sakta se ku ndodhen trupat e tyre.

GYLTENE SINANI