Maqedoni

Alternativa dhe Besa, kërkesa shtesë për ndryshimet kushtetuese

29.03.2023 13:55

Pas thirrjeve nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim se frontit pro-evropian...

Pas thirrjeve nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim se frontit pro-evropian duhet t’i bashkëngjiten të gjitha subjektet tjera politike, dy partitë opozitare shqiptare Alternativa dhe Lëvizja “Besa” janë shprehur kundër bashkimit në këtë front, por janë shprehur se do t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese. Lulzim Aliut nga Alternativa, në emisionin Argument në TVM2 tha se ato si subjekt politik do të parashtrojnë edhe kërkesat e tyre kur të hapet kushtetuta, e cila pritet të përkrahen nga të gjitha subjektet politike. 
 
“Ne si subjekt politik, mendojmë se hapjen e Kushtetutës dhe çdo ligj tjetër, absolutisht nuk jemi kundër futjes së etniteteve tjera brenda preambulës së kushtetutës, por sigurisht se ne kemi një propozim që unë nuk besoj se ka parti politike jo vetëm shqiptare që mund të jenë kundër një amendamenti kushtetues, i cili parasheh vjetërsimin e lëndëve për krim dhe korrupsion. Unë nuk besoj se kjo duhet të jetë formë e kushtëzimit, por duhet të jetë formë e mirëpritjes dhe e bashkëpunimit prej të gjithëve.”, - deklaroi Lulzim Aliu nga Alternativa. 
 
Ndërsa, Faruk Avdiu nga Lëvizja “Besa” shprehet se opinioni nuk duhet të ketë asnjë dilemë rreth asaj se a do t’i përkrah Lëvizja “Besa” ndryshimet kushtetuese, por pasi që po hapet kushtetuta ato si subjekt politik do të kërkojnë që formulimi prej 20 përqindëshin i cili figuron tek etniteti shqiptar të largohet. Po ashtu do të kërkojnë që edhe gjuha shqipe të jetë si kategori kushtetuese, por edhe zgjedhjen e presidentit të vendit në Kuvend. 
 
“Kur Bullgaria nga jashtë mund të ketë kësi lloj qëndrimi, pse ne nga brenda që kemi karakter shtetformues dhe kemi kaluar disa procese mos ta kërkojmë heqjen e 20 për qindëshit, ku qëndron problemi këtu. Pra, i vetmi shqetësim i ynë është kjo, ta materializojmë sa më shumë pozicionin e shqiptarëve në kushtetutën e RMV, për atë bëra edhe ftesë që të ulen partitë politike shqiptare dhe ta unifikojmë qëndrimin karshi ndryshimeve kushtetuese.”, - theksoi Faruk Avdiu nga Lëvizja “Besa”.                                                 
 
Të dy subjektet opozitare shqiptare, po ashtu apeluan edhe tek partitë opozitare maqedonase, në veçanti tek VMRO-DPMNE-ja që mos ta bllokojnë rrugëtimin e RMV-së drejt Bashkimit Evropian.   
 
FITIM KRYEZIU