Maqedoni

Eurointegrimet, Bellen: Shfrytëzoni disponimin e BE-së për zgjerim

29.03.2023 14:38

Maqedonia e Veriut të gjejë mënyrë për realizimin e ndryshimeve kushtetuese...

Maqedonia e Veriut të gjejë mënyrë për realizimin e ndryshimeve kushtetuese në mënyrë që procesi i integrimit në Bashkimin Evropian të vijojë sipas planit, porositi presidenti austriak Aleksander Van Der Belen. Pohon se ndryshimet kushtetuese janë çështje frustuese, por megjithatë apelon autoritetet që ta shfrytëzojnë momentumin e interesit të BE-së për zgjerim. 
 
“Që të vazhdojë procesi i zgjerimit, në këtë moment janë të nevojshme ndryshimet  kushtetuese,  por  duhet ta pranoj se edhe në Austri e dimë se  politikisht  shkaktohen tensione kur shumica ka qëndrim të caktuar ndaj  një pakice të caktuar, por gjithsesi  duhet të shihet përpara dhe të punohen për të ardhmen e përbashkët evropiane. Ne e dimë se kjo është një rrugë e vështirë për ju dhe zhgënjimi për kohëzgjatjen e procesit është i kuptueshëm, por ju lutem mos  e humbni qëllimin.”, - deklaroi presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen.
 
Pendarovski për ndryshimet kushtetuese: Opozita të kyçet, mos të bllokohemi me dorën tonë
 
Edhe shefi i shtetit Stevo Pendarovski i bën thirrje opozitës që të kyçet në procesin e ndryshimeve kushtetuese edhe në aspekt politik edhe në kuadër të grupit të ekspertëve. Nuk bie shteti nëse në kushtetutë hyjnë bullgarët, thotë Pendarovksi, ndërsa në anën tjetër, beson se kërkesa e Sofjes do të ishte e fundit dhe se s’do të dalin pengesa të reja në rrugën integruese të vendit, që sipas tij, kjo ndikon edhe në ruajtjen e kredibilitietit të BE-së.
 
“Çka do të ndodh nëse nuk sigurohen 2/3-tat? Korniza negociuese evropiane thotë se nëse nuk i miratojmë ndryshimet kushtetuese deri në fund të nëntorit, sërish do të bllokohemi, kësaj here me vendimin tonë. Rruga e vetme për te arritur tek 2/3-tat është të bisedohet me njerëzit e opozitës. Nëse hyjmë me qëllim të sinqertë ju siguroj se argumentet janë në anën tonë, në anën time,  në anën e atyre që besojnë se përfshirja e bullgarëve në kushtetutë në asnjë mënyrë nuk e rrezikon sovranitetin e Maqedonisë së Veriut.”, - theksoi kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
 
Dy bashkëbiseduesit u pajtuan se në mungesën e perspektivës së qartë evropiane, euroskepticizmi do të vazhdojë të rritet, ndërsa kjo do të shfrytëzohet nga forcat e tjera që punojnë  kundër vlerave evropiane.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU