Kosova, vetëm 1-1 në shtëpi me Andorrën
29.03.2023 15:18
Kosova ka zhvilluar të martën ndeshjen e dytë në kuadrë të Grupit I të Eliminatoreve të Evropianit të 2024-s

Kosova ka zhvilluar të martën ndeshjen e dytë në kuadrë të Grupit I të Eliminatoreve të Evropianit të 2024-s, teksa ka pritur Andorrën në takimin e zhvilluar në Stadiumin "Fadil Vokrri" të Prishtinës. Skuadra e trajnerit Alen Zhires erdhi në këtë sfidë, pas atij barazimi mëse të merituar, 1-1 në Tel Aviv përballë Izraelit vendas para pak ditësh, ndërsa përfaqësuesja e Principatës së vogël të Pirenejve ishte mundur 0-2 në shtëpi nga Rumania.
Përtej mbizotërimit të lojës, Kosova nuk ka arritur ta thyejë qëndresën e skuadrës mike dhe, për rrjedhojë, edhe përkundër pritshmërive, 45 minutat e para janë mbyllur me rrjeta të paprekura. Ato të dytat kanë nisur me Kosovën në kërkim të goli dhe ai do të vijë në minutën e 59-të, kur Edon Zhegrova ka thyer më në fund qëndresën e Andorrës dhe ka gjetur rrugën e rrjetës.
Goli nuk i ka tulatur miqtë dhe vetëm 120 sekonda më pas ata do të rikthejnë edhe barazpeshën në shifra, kur, pas një aksioni nga e majta e sulmit, Rosas Ubaç do të mposhtë portierin e Kosovës.
Gjysmëora e mbetur e kohës së rregullt dhe 5 minutat shtesë që janë bërë 8, kanë parë Kosovën të sulmojë parreshtur, duke ndërtuar dhe shpërdoruar raste pafund për të shënuar, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Mbyllet kështu në barazim 1-1 kjo sfidë, me Kosovën që shpërdoron një mundësi për të marrë 3 pikët.
Në takimet e tjera të këtij grupi, të luajtur të martën në mbrëmje, Zvicra ka mundur 3-0 në fushën e saj Izraelin, ashtu sikundër Rumania ka fituar 2-1 ndaj Bjellorusisë dhe të dyja skuadrat ndajnë kreun me nga 6 pikë, të ndjekura nga Kosova me 2 dhe Andorra dhe Izraeli, me nga 1. Bjellorusia mbyll fundin e renditjes, teksa nuk ka marrë dot asnjë pikë në dy ndeshjet e para.
