Maqedoni
Qeveria, ngrihet çmimi i produkteve higjienike, Bekteshi: Pritet ngrirje e çmimit të frutave dhe perimeve
29.03.2023 16:26
Qeveria ka marrë vendim për ngrirjen e çmimeve të produkteve higjienike....

Qeveria ka marrë vendim për ngrirjen e çmimeve të produkteve higjienike. Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tregoi se bëhet fjalë për: “letër higjienike, peceta të lagura, pelena për fëmijë dhe të rritur”. Ministri shtoi se ky vendim është marrë për shkak se ligji për këto produkte ende nuk është miratuar në Kuvend, ku pritet nga viti i kaluar të miratohet vendimi për uljen e TVSh-së nga 18 në 5 %.
“Përcaktohen çmimet më të larta në tregtinë me pakicë për produktet, siç janë: letra higjienike, pecetat e lagura, pelenat për fëmijë dhe të rritur dhe pecetat higjienike, ulja e çmimeve do të jetë për 13% nga çmimet që janë aplikuar më 20 mars në tregtinë me pakicë. Ky vendim është marrë sipas analizave të bëra në Ministrinë e Ekonomisë, si dhe çmimeve nga importi të marra nga Drejtoria e doganave.”, - deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Sa i përket ngrirjes së çmimeve të pemëve dhe perimeve, Bekteshi ka theksuar se parametrat hyrëse nga Ministria e Bujqësisë tashmë janë në Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa është në pritje të të dhënave nga Drejtoria doganore.
“Gjatë ditës së sotme, ndoshta deri nesër, do t'i kemi të gjitha të dhënat dhe të premten apo të dielën do ta informojmë opinionin se për cilat produkte nga frutat dhe perimet do të ketë ngrirje të çmimeve.”, - theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
I pyetur se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të këtyre masave dhe tregtarët a do t’i rrisin menjëherë çmimet, Bekteshi tha se për sa kohë të ketë nevojë për vendime të tilla do të merren, ndërsa zgjidhjen më të mirë e sheh tek ligji për TVSh. Sa i përket deklaratave të Odës Ekonomike, të cilët janë shprehur kundër ngrirjes së çmimeve, Bekteshi thotë se ata duhet të informohen më mirë, për shkak se sipas tij ngrirja e çmimeve të bukës, miellit, orizit, po jep rezultat dhe këtë mund ta vërtetojnë edhe qytetarët.
GAZMEND KURTISHI
