Maqedoni

Der Belen iu drejtua kuvendit: Për integrim të shpejtë duhet parlament funksional

29.03.2023 16:48

Unitet nacional dhe kompromis politik për të realizuar qëllimet strategjike....

Unitet nacional dhe kompromis politik për të realizuar qëllimet strategjike. Austria, si vend anëtar i BE-së dhe vend mik i Maqedonisë së Veriut kërkon nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend që të veprojnë në union sa i përket vazhdimit të procesit negociues. Presidenti i Austrisë, Aleksander van der Belen, ftoi pushtetin dhe opozitën që të tejkalojnë dallimet ideologjike dhe interesat partiake, duke aluduar kështu në nevojën e domosdoshme për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimin e negociatave.    
 
“Thelbi i demokracisë është se edhe përtej dallimeve ideologjike dhe dallimeve të tjera, vendi të mos përçahet, por të bashkëpunoni në mënyrë konstruktive, përtej kufijve partiak. Kjo nuk është gjithmonë e thjeshtë, por në këtë rast, dua të them se, kompromisi është guri qendror i demokracisë dhe nuk duhet para kohe të themi që kompromisi është i keq. Të gjesh kompromis do të thotë të braktisësh qëndrimet e kundërta dhe të arrish qëndrim të ri të përbashkët ose zgjidhje.”, - deklaroi presidenti i Austrisë, Aleksander van der Belen.
 
Presidenti austriak rikujtoi deputetët se vazhdimi i procesit negociues dhe shpejtësia e përfundimit të negociatave varet vetëm dhe vetëm prej tyre. Ndërkaq, Austria si vend anëtar i BE-së do të vazhdojë të përkrahë integrimin e vendit si deri më tani.
 
“Për të pasur një mesatare të shpejtë të integrimit duhet të keni një Parlament funksional dhe pajtim nacional në interes të qëllimeve të përbashkëta strategjike. Si deputet shumëvjeçar i një partie opozitare e di se bashkëpunimi mes shumicës dhe opozitës nuk është gjithmonë i thjeshtë.”, - theksoi presidenti i Austrisë, Aleksander van der Belen.
 
Der Belen çmoi rolin e Maqedonisë së Veriut në nismat për përforcimin e integrimit rajonal, bashkërendimin me politikën e jashtme të BE-së ndaj agresionit rus në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë dhe ndihmës për Ukrainën si dhe për kryesimin e angazhuar me OSBE-në. Vizita e presidentit austriak përkon me 30 vjetorin nga njohja e pavarësisë së Maqedonisë nga ana Austrisë. 
 
SHPËTIM NUREDINI