Maqedoni
Kovaçevski dhe Bekteshi: Furnizim i mjaftueshëm me produktet e ngrira
29.03.2023 17:10
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi...

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thonë se ka furnizim të mjaftueshëm në treg me produktet të cilave u janë ngrirë çmimet. Po ashtu, inspektorët janë në teren për të kontrolluar zbatimin e vendimeve të qeverisë.
“Mund të konstatoj se kemi furnizim të rregullt të të gjithë shitjeve me pakicë me të gjitha produktet ushqimore bazë dhe se masat për kufizimin e çmimeve të produkteve ushqimore bazë janë respektuar kryesisht. Këto janë masa konkrete në të cilat nuk ka paqartësi dhe duhet të respektohen. Në terren, inspektorati deri më tani ka kryer 500 kontrolle nga shërbimet inspektuese, të cilat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
“Ashtu siç është mësuar konsumatori në javët paraprake që çdo vendim do të jetë në interes të konsumatorit, qytetarit, ku do të ketë ulje të çmimeve të produkteve të caktuara, kryesisht ata të cilët janë të konsumit të gjerë dhe që konsumohen nga ana e qytetarëve tanë në bazë ditore. Nuk do të ketë as një pakt kompromisi nga ana e shtetit, që do të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat që barra e krizës ekonomike, energjetike dhe financiare të mos jetë vetëm në kurriz të qytetarëve.”, - theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Këto komente Kovaçevski dhe Bekteshi i bënë gjatë vizitës në kompaninë “Vezë Sharri” në Trebosh të Tetovës. Me këtë rast Arben Abduramani nga kompania “Vezë Sharri” tha se vendimi për ulje të çmimit të energjisë për kompanitë ka qenë vendim i duhur që ka ndikuar edhe në mosrritjen e çmimeve.
“Sjellja e vendimit të qeverisë që për katër muaj të jetë më lirë, na ka ndihmuar shumë neve si kompani dhe kemi arritur që mos të ngrihen çmimet shumë më lartë.”, - u shpreh Arben Abduramani nga “Vezë Sharri”.
Njëherit, zyrtarët qeveritarë i bënë thirrje mërgatës që të vijë të investojë në vendlindje, duke ofruar edhe ndihmën e qeverisë.
VISAR SADIKI
