Maqedoni
Gostivar, Bytyqi viziton kompaninë “Almero”
29.03.2023 17:33
Kompania “Almero” nga Gostivari është një nga kompanitë, e cila funksionon në rajonet...

Kompania “Almero” nga Gostivari është një nga kompanitë, e cila funksionon në rajonet më pak të zhvilluara të vendit tonë. Për të pasur zhvillim rajonal të barabartë, shteti e mbështet financiarisht këtë kompani për të rritur prodhimin dhe konkurrencën.
Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, gjatë vizitës që i bëri kësaj kompanie, tha se ndihma vjen përmes Ligjit për marrëveshje financiare që ka Qeveria me kompanitë e prodhimit.
““Almero” është një nga kompanitë e shumta që ne mbështesim dhe punon në rajonet më pak të zhvilluara planifikuese, ku vitin e kaluar më shumë se 70 për qind e kompanive të mbështetura janë jashtë rajonit më të zhvilluar të Shkupit, që është edhe synimi ynë, të inkurajojmë zhvillimin e balancuar rajonal”, - tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Duke marrë si shembull pronarët e rinj në moshë të “Almeros”, Bytyqi tha se importi i fuqisë punëtore nga jashtë është opsioni i fundit. Ajo çka na duhet, shtoi ai, është rikualifikimi i punëtorëve.
Adem Agai nga kompania “Almero” bëri të ditur se kompania me investimin e ri që është duke e zhvilluar, do të krijohen 350 vende të reja pune. Ai tha se me cilësi edhe në Gostivar mund të sillet Evropa.
Ndryshe, kompania “Almero” merret me prodhimin e dyshekëve, shtretërve dhe jastëkut, ku 70 për qind e prodhimit destinacion kanë vendet e huaja.
LULZIM HAIRI
