Botë
Grossi vizitë centralit bërthamor në Zaporizhja, ShBA-Rusi, ndërpriten informatat për armët bërthamore
29.03.2023 17:55
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi...

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi, ka vizituar centralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhja, qytet në jug, i cili kontrollohet nga forcat ruse. Kështu njoftoi kompania shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës, Enerhoatom, e cila tha se vizita e Grossit vjen si pjesë e përpjekjeve për të shmangur rrezikun e një aksidenti në centralin bërthamor.
Ky central bërthamor më i madhi në Evropë dhe ndër dhjetë më të mëdhenjtë në botë ka qenë një nga shënjestrat e ushtrisë ruse prej nisjes së luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt të vitit të kaluar.
Moska dhe Kievi kanë fajësuar njëri-tjetrin për bombardimet rreth centralit, të cilat kanë rritur shqetësimet për katastrofë bërthamore. Po ashtu presidenti rus, Vladimir Putin, e ka prezantuar në fundjavë planin për dërgimin e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi.
Ky vendim është dënuar ashpër nga Perëndimi. Këto zhvillime po ndodhin derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë ndërprerë shkëmbimin e informacionit për armët bërthamore pas rënies së paktit "Fillimi i ri ", i cili kufizon arsenalin bërthamor të superfuqive të botës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit, Uashingtoni i ofroi Moskës të dhënat e saj edhe pasi Rusia u tërhoq në shkurt.
“Ndërprerja ka qenë e paligjshme. Prandaj, mosdhënia nga ana e Rusisë e të dhënave do të nënkuptojë një tjetër shkelje të marrëveshjes, përveç shkeljeve të mëparshme të "Fillimit të ri". Si rezultat, ka kundërmasa ligjore për të inkurajuar Rusinë që të kthehet në marrëveshje. Dhe ShBA-të nuk do të japin më informatat e saja gjashtëmujore.”, - deklaroi zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Vedant Patel.
Si shenjë e vullnetit të mirë, Moska do të vazhdojë të respektojë detyrimet e saj deri në afatin e planifikuar në 2026, thotë shefi i diplomacisë ruse.
“A e dini se për çfarë na akuzojnë?! Për kryerjen selektive të detyrimeve pasi kemi deklaruar se edhe pse jemi tërhequr, do të vazhdojmë të respektojmë indikatorët kuantitativ të vendosur deri në afatin në vitin 2026. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi tërhequr plotësisht nga kjo marrëveshje. Gatishmëria jonë për të ruajtur kufizimet në armët strategjike është vetëm një gjest i vullnetit të mirë.”, - theksoi ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov.
Marrëveshja e vitit 2010, e nënshkruar nga liderët e atëhershëm të ShBA-së dhe Rusisë, Barack Obama dhe Dmitry Medvedev, ishte pakti i fundit i kontrollit të armëve. Sipas kushteve të saj, Moska dhe Uashingtoni nuk duhet të vendosin më shumë se 1.550 koka bërthamore dhe 700 raketa dhe bombardues me bazë tokësore dhe nëndetëse.
Presidenti rus, Putin, muajin e kaluar tërhoqi vendin e tij, duke akuzuar Perëndimin për përfshirje të drejtpërdrejtë në sulmet e Ukrainës ndaj bazave të bombarduesve strategjikë rusë. Sipas Kremlinit, kërkesat e NATO-s për inspektime të bazave bërthamore janë absurde.
Gjatë administratës së Trump, edhe Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga pakti, sepse besonin se Moska kishte kryer shkelje të mëdha. Por, me fillimin e mandatit presidencial të Biden në vitin 2021, marrëveshja u zgjat edhe për pesë vjet.
VLORA LATIFI TOPOJANI
