Botë
Zelensky: Ukraina duhet të ruajë kontrollin në Bakhmud
29.03.2023 18:39
Ushtria ukrainase ka thënë se forcat e saj kanë zmbrapsur më shumë sulme ruse në Bakhmud...

Ushtria ukrainase ka thënë se forcat e saj kanë zmbrapsur më shumë sulme ruse në Bakhmud, teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kievi nuk mund ta përballojë humbjen e betejës në këtë qytet në rajonin e Donjeckut.
“Armiku vazhdon sulmet në qytetin e Bakhmudit”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportin ditor.
“Megjithatë, mbrojtësit tanë janë duke e mbajtur me kurajë qytetin, duke zmbrapsur një mori të sulmeve të armikut.”, ka thënë mes tjerash ushtria.
Bakhmudi, bashkë me qytetet tjera Avdivka, Marinka dhe Liman, janë shënjestrat kryesore të Rusisë, sipas ushtrisë ukrainase.
Duke folur për rëndësinë e kontrollit të Bakhmudit, Zelensky ka paralajmëruar se fitorja e Rusisë në atë qytet mund të përdoret nga presidenti rus, Vladimir Putin, si kusht në ndonjë marrëveshje eventuale për paqe, çka nënkupton se Ukraina do të duhej të bënte kompromise të dhimbshme.
Putin “do t’ia shiste këtë fitore Perëndimit, popullit të tij, Kinës, Iranit”, ka thënë Zelensky. Ndërkohë, shefi i Agjencisë ndërkombëtare të energjisë bërthamore, Rafael Grossi, ka vizituar centralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhja, qytet i cili kontrollohet nga forcat ruse. Kjo vizitë vjen si pjesë e përpjekjeve për të shmangur rrezikun e një aksidenti në centralin bërthamor.
