Maqedoni

Jançeva: VMRO-DPMNE dhe Arsovska t'ia lënë qeverisë rindërtimin e sallës universale

30.03.2023 15:48

Këshilli i Qytetit të Shkupit ka hedhur poshtë iniciativën e grupit të këshilltarëve të LSDM-së...

Këshilli i Qytetit të Shkupit ka hedhur poshtë iniciativën e grupit të këshilltarëve të LSDM-së që projektin për rindërtimin e Sallës Universale t'ia dorëzojë Qeverisë.
 
Për idenë votuan 15 këshilltarë, 4 abstenuan, 6 kundër, kështu që vendimi nuk u mor nga Këshilli i Qytetit të Shkupit. LSDM thotë se pushteti lokal në qytetin e Shkupit është i paaftë dhe nuk ka realizuar asnjë projekt për një vit e gjysmë.
 
“Projekti për rikonstruksionin e Sallës Universale ka ngecur plotësisht. Pavarësisht nëse janë tekat personale të Arsovskës apo të kryetarit të mprehtë Mickoski. Është ndërprerë rindërtimi i njërit prej objekteve më të rëndësishme për Shkupin, ndërsa Salla Universale është pothuajse në gjendje të rrënuar.”, - deklaroi koordinatorja e grupit këshillues të LSDM-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Ljubica Jançeva.
 
Ky projekt financohet nga Qeveria me 120 milionë denarë. Prej tyre janë shfrytëzuar 40 milionë, që do të thotë se kanë mbetur edhe 80 milionë denarë, të mjaftueshme për të përfunduar rikonstruksionin, thonë nga LSDM.  
 
Arsovska: Nuk heqim dorë nga ndërtimi i sallës
 
Arsovska tha se as nuk mundet dhe as do të marr vendimin për të hequr dorë nga Salla Universale. Këshilltarët hodhën poshtë edhe propozim-vendimin e kryetares Arsovska për blerjen e autobusëve ekologjikë me huazim në njërën nga bankat vendase. Kjo është hera e dytë që këshilltarët e refuzojnë Arsovskën për të njëjtën çështje. 
 
“Bllokada nga ana e këshilltarëve, më duhet të them, që nuk më pengon në punën time si kryetare. Unë do të vazhdoj të punoj dhe e gjithë ajo që është premtuar para qytetarëve do të realizohet. Por, ky bllokim është një bllokim ekskluzivisht për ato projekte që qytetarët presin të realizohen sa më shpejt dhe në interesin e tyre.”, - theksoi kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska. 
 
Në diskutimin për këtë pikë të rendit të ditës u shtruan pyetje të ndryshme, nga ana këshilltarëve u krijuan dilema të shumta, kryesisht për sa i përket numrit të autobusëve që do të prokuroheshin, si do të përfshiheshin në orar, por edhe çfarë ndodh me projektin BRT, i cili është ende në pritje për realizim.
 
SANIJE DURAKU