Maqedoni

Kuvendi shqyrton raportin e KShPK-së, 720 denoncime për veprime korruptive

30.03.2023 16:24

Komisioni për parandalim të korrupsionit, gjatë vitit 2021, ka pranuar nga qytetarë 720 denoncime...

Komisioni për parandalim të korrupsionit, gjatë vitit 2021, ka pranuar nga qytetarë 720 denoncime, për veprime korruptive, keqpërdorim të funksionit publik dhe konflikt interesi. Gjatë këtij viti ka formuar 84 lëndë me vetë-iniciativë dhe ka ngritë 710 procedura për kundërvajtje.
 
Ky është raporti i Komisioni për Parandalim të Korrupsionit për vitin 2021, të cilin po e shqyrton Kuvendi. Sipas opozitës, shqyrtimi i vonuar flet për qasjen e pushtetit ndaj korrupsionit.        
 
“Siç duket, askënd nga subjektet me kompetencë nuk e shqetëson ç’rrënjosja e korrupsionit në shtet, prandaj nuk u shpejtohet sa u përket shqyrtimit të raporteve dhe zgjidhjen e problemeve të detektuara në to. Republika e Maqedonisë, sipas indeksit më të ri të perceptimit të korrupsionit që e shpall Tranparensi Intereneshënëll, ndodhet në vendin e 85-të, që e bën një nga vendet më të korruptuara në botë dhe këtë titull e ndan me vende si: Surinami, India dhe Tunisi.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Hristova. 
 
Korrupsioni në vend i ra rrënjët e thella dhe përgjegjëse janë të gjitha qeveritë, tha mes tjerash deputeti i ASh-së, Halil Snopçe. Rikujtoi VMRO-DPMNE-në për krimin dhe korrupsionin gjatë qeverisjes së saj.
   
“Qeveritë në të kaluarën nuk mund të amnistohen nga përgjegjësia, pra edhe VMRO-ja nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia, sepse e dimë ne se si janë zgjedhur ato gjyqtarë dhe prokurorë që në kohën kur ju keni qenë në qeverisje. Pra, përdorimi i bombave u ndalua, por ne ende i kemi të freskëta bisedat prej bombave.”, - u shpreh Halil Snopçe nga ASh-ja.
 
Ndërkaq, deputetet e LSDM-së, duke u thirrur në Raportin e Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut, të vitit 2016, kur VMRO-DPMNE po largohej nga pushteti, thanë se gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, ka pasur korrupsion të nivelit të lartë dhe askush nuk është dënuar. 
 
SHPËTIM NUREDINI