Botë

Lista Serbe” ende nuk ka vendosur për hapat që do të ndërmarrë

11.02.2015 12:06

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka deklaruar se “Lista Serbe” ende nuk ka vendosur për hapat që do të ndërmarrë rreth pjesëmarrjes në Qeverinë e Kosovës...

Për Radio Televizionin e Serbisë, Stjanoviq ka thënë se rreth kësaj çështje do të ketë takime të tjera ndërmjet kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq dhe serbëve të Kosovës.

“Lista Serbe” ka shprehur pakënaqësinë e saj me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për të shkarkuar tashmë ish-ministrin për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq.

Përfaqësues të listës kishin thënë se për pjesëmarrje ose jo në Qeverinë e Kosovës do të vendosnin pas takimit të mbështetur nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili u mbajt në Bruksel më 9 shkurt.

Jabllanoviq i kishte quajtur "egërsira" protestuesit në Gjakovë të cilët po përpiqeshin t'i pengonin pelegrinët serb të vizitojnë Gjakovën për “Krishtlindjen” ortodokse, më 6 janar.

Deklarata e tij kishte nxitur protesta të dhunshme në Prishtinë, në janar të këtij viti.