Maqedoni
Sindikata dhe Ministria e Shëndetësisë dakordohen për rritjen e pagave
30.03.2023 17:00
Sindikatat e Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë kanë rënë dakord për rritjen...

Sindikatat e Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë kanë rënë dakord për rritjen e pagave. Ata kanë nënshkruar aneksin e kontratës kolektive sipas asaj që është dakorduar.
Infermierët do të marrin rritje prej 3.000 denarë, kurse pjesa tjetër e punëtorëve shëndetësorë do të marrin nga 2.000 denarë nga muaji mars, ndërsa zyrtarizimi pritet të miratohet nga Ministria e Financave.
“Ne bëmë një marrëveshje. Tre mijë denarë për të gjithë infermierët dhe dy mijë denarë për të gjithë stafin teknik ndihmës, administratën, mjekët, të gjithë punëtorët shëndetësorë të kenë rritje bruto me pagën e marsit.”, - deklaroi nënkryetari i Sindikatës së Qendrës Klinike, Predrag Serafimovski.
"Presim që marrëveshja e sotme të zyrtarizohet me nënshkrim në një periudhë sa më të shkurtër kohore, gjatë javës së ardhshme.", - theksoi kryetari i Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje sociale, Lubisha Karanfilovski.
Nga sindikatat e shëndetësisë thonë se do të vazhdojnë me kërkesat e tyre të reja edhe në periudhën në vijim, për shkak të inflacionit.
VLORA LATIFI TOPOJANI
