Maqedoni

MPB, u vra një 46 vjeçar pranë një kazinoje në Shkup

31.03.2023 16:05

46 vjeçari N.A nga Haraçina është vrarë në një kazino në bulevardin “Gologanov” në Kapishtec...

46 vjeçari N.A nga Haraçina është vrarë në një kazino në bulevardin “Gologanov” në Kapishtec nga një i njohur me të cilin më parë kishte luajtur në aparatet e kazinosë. 
 
Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike ka inspektuar kazinon në Kapishtec dhe sipas informacioneve fillestare i ndjeri, ka mbërritur në kazino së bashku me tre persona të tjerë, në gjendje të dukshme të dehur.
 
Pasi kanë luajtur në aparate mes viktimës dhe të dyshuarit ka ardhur deri te konflikti verbal dhe fizik, ku i dyshuari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë mbi viktimën.
 
“Ata luajtën në aparate për disa kohë dhe më pas viktima filloi të debatonte dhe të shtynte me një nga personat me të cilët ishte në kazino. Dy të tjerët kanë tentuar t'i ndajnë, por i dyshuari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë mbi viktimën. Më pas e ka goditur disa herë me kondakun e armës në pjesën e kokës. Viktima menjëherë ka gjetur vdekjen. Vijojnë kërkimet për personin që dyshohet se ka kryer vrasjen.”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike, Shkup. 
 
Sipas urdhërit të prokurorit, trupi i pajetë i të vrarit është dërguar për obduksion, ndërsa për gjurmët dhe provat e marra nga vendi i ngjarjes do të bëhet ekspertiza dhe do të intervistohen dëshmitarët. Janë siguruar edhe videoxhirime.
 
Po ashtu, policia ka njoftuar edhe për një trup të pajetë, i cili u gjet mbrëmë në rrugën Shkup-Bllacë. Bëhet fjalë për një emigrant, i cili u gjet i goditur nga vetura. Tek i ndjeri nuk u gjetën dokumente personale.
 
Në rrugë vërehen shenja të forta frenimi, ndërsa policia po mbledh foto, dokumentacion nga vendi i aksidentit. Një këqyrje është kryer nga prokurori publik dhe me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i të ndjerit është dorëzuar për obduksion.
 
SANIJE DURAKU