Maqedoni

Kovaçevski viziton Beogradin, Bërnabiq: “Ballkani i hapur” po jep rezultat

31.03.2023 16:23

Nisma “Ballkani i hapur” ka përforcuar bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes Maqedonisë së Veriut...

Nisma “Ballkani i hapur” ka përforcuar bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe ka dhënë rezultate konkrete. Sipas kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, falë kësaj nisme këmbimi tregtar është rritur për 28%, përkatësisht gjatë vitit të kaluar ka arritur në 1.5 miliardë euro.
 
“Falë nismës “Ballkani i Hapur” Serbia është bërë partneri i katërt më i madh ekonomik i Maqedonisë së Veriut pas Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Greqisë.”, - theksoi Bërnabiç. Mohoi zërat se nga kjo nismë interes më të madh ka Serbia.  
 
“Është e vërtetë se Serbia ka interes nga kjo nismë, siç është e vërtetë se edhe gjithë të tjerët kanë interes të madh. Prandaj, përmenda se në këmbimin tregtar mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Serbia ka suficit të theksuar pasi në vitin 2022 eksporti ynë ka qenë mbi 940 milionë euro, ndërsa importi ka qenë mbi 511 milionë euro dhe ajo që soli nisma “Ballkani i Hapur” është se importi nga Maqedonia e Veriut u rrit për 56%. Në përgjithësi nisma është e mirë edhe për ne edhe Maqedoninë e Veriut edhe për Shqipërinë.”, - deklaroi   kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. 
 
Kovaçevski: Fokusi i dy qeverive është BE-ja
 
“Ballkani i hapur” është nismë që përshpejton procesin e integrimit evropian pasi mbështet në parimet themelore të Unionit, konsiderojnë krerët e dy qeverive përkatëse. Në këtë drejtim, në fillim të muajit prill, pritet të nënshkruhet edhe një memorandum bashkëpunimi në fushën e eurointegrimit.   
 
“Vendet tona, edhe Maqedonia e Veriut edhe Serbia i takojnë pjesës së lirë dhe demokratike të Evropës. Dhe, siç ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi interes të jemi anëtare të Unionit Evropian, ashtu edhe Unioni ka interes që në Ballkan të mos ketë konflikte rajonale, të ketë stabilitet dhe të ketë shtete ekonomikisht stabile të cilat do të zhvillohen dhe të përsosen në planin demokratik, administrativ, politik dhe të sigurisë. Prandaj, të gjithë ne duhet të përforcojmë angazhimet dhe të realizojmë pritjet e qytetarëve tanë për të ardhme evropiane.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
  
Qeveritë e dy vendeve nënshkruan tre memorandume bashkëpunimi në fushën e infrastrukturës, energjetikës dhe bashkëpunimit kufitar. Gjatë muajit prill pritet të harmonizohet edhe data për mbajtjen e seancës së përbashkët ndërqeveritare, që duhet të zhvillohet në Serbi.  
 
SHPËTIM NUREDINI