Maqedoni
Dita ndërkombëtare e jurisprudencës, kritika dhe porosi për veprim të menjëhershëm
31.03.2023 16:41
Në shënimin e ditës nacionale të jurisprudencës, kritika dhe porosi për veprim të menjëhershëm...

Në shënimin e ditës nacionale të jurisprudencës, kritika dhe porosi për veprim të menjëhershëm, drejtohen në adresë të gjyqësorit. ShBA-të kërkojnë aksion të shpejtë për të luftuar pengesat brenda gjyqësorit, ndërsa inkurajuan gjykatësit që t’i kundërvihen presioneve politike.
Theksojnë se janë të frustruar nga besimi tmerrësisht i ulët i publikut në gjyqësor dhe nga mungesa e progresit. Ndërkombëtarët porositën se është koha për kthesë në jurisprudencë dhe ofruan mbështetjen e tyre.
“Sot është dita kur ju bëj thirrje ju që luftoni për gjyqësor llogaridhënës, ju inkurajoj të bashkoheni si grup dhe të veproni ndaj atyre që rrinë si pengesë në këtë rrugë. Ne, ShBA-të jemi këtu dhe e dimë se aksioni duhet të vijë nga ana juaj. Duhet të jeni të zëshëm, t’i kundërviheni funksionarëve të lartë partiak apo biznesmenëve që duan t’ju ndërhyjnë në punë.”, - deklaroi shefi i misionit të ShBA-ve në Shkup, Erik Mejerzv.
“Kjo me të vërtetë është një porosi dhe nevojë urgjente. Jemi të vetëdijshëm se presione të tilla në RMV ekzistojnë dhe më me rëndësi është t’i kundërshtoni dhe të dëgjoni vetëm drejtësinë.” - theksoi zëvendësambasdori i Holandës, Robert Deker.
“E dimë se ekzistojnë pengesa të theksuara me të cilat gjyqësori edhe më tej po ballafaqohet. Vë në dukje disa prej tyre: pozita të zbrazëta gjyqësore që ka ndikim negativ në efikasitetin e gjyqësorit, menaxhim i keq me kohën, perceptimi për mungesën e integritetit dhe transparencës.”, - u shpreh shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilijan Vall.
Nga kryesuesit institucional të gjyqësorit u theksua nevoja për gjykatës të pavarur transparent dhe me integritet.
“Vetëm një pjesë e vogël e gjykatësve nuk munden apo nuk duan të rezistojnë dhe kjo e kontaminon gjithë profesionin. Gjykatësit do t’ju tregojnë se kush janë ata gjykatës në radhët e tyre që nuk janë rezistent ndaj ndikimeve dhe presioneve, por kur duhet t’i tregojnë me emër dhe mbiemër, e lënë ata ta bëj dikush tjetër.”, - theksoi kryetarja e Këshillit gjyqësor, Vesna Dameva.
“E gjithë kjo punë duhet të kryhet në procedurë, të vërtetohen faktet dhe të nxirren në hapësirë dëshmi të siguruara në lidhje me sjelljen e gjykatësve, d.m.th. nuk është proces që mund të zgjidhet me një deklaratë apo raport të përgjithshëm.”, - deklaroi kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Xhemali Saiti.
“Gjykata supreme inkurajon aplikimin e standardeve të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut dhe ndërtimin e praktikës gjyqësore si segment i rëndësishëm për zhvillimin e gjyqësorit bashkëkohorë.”, - u shpreh kryetarja e Gjykatës supreme, Besa Ademi.
Me këtë rast kërkuan nga gjykatësit që të vazhdojnë t’i ruajnë vlerat e sundimit të së drejtës dhe kthimin e besimit të qytetarëve në gjyqësorë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
