Maqedoni

Pagat e zyrtarëve, kushtetuesja vendos rritjen për 78%

31.03.2023 17:18

Rritja e pagave të zyrtarëve për 78% nga muaji që vjen, pasi gjykata kushtetuese shfuqizoi...

Rritja e pagave të zyrtarëve për 78% nga muaji që vjen, pasi gjykata kushtetuese shfuqizoi nene për pagesën e pagave, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ftoi qeverinë që të gjendet zgjidhje ligjore me të cilën do të rregullohet çështja duke ulur pikët e pagave.
 
“Konsideroj se është nuk është mirë që në një periudhë krize ekonomike të rriten pagat të cilat paguhen nga buxheti shtetëror.”, është shpehur Pendarovski.
 
Ministri për punë të jashtme Bujar Osmani thotë se pagat e politikanëve janë të ulëta, por prioritetet duhet të kenë qytetarët.
 
“Politikanët duhet të jenë ata që japin shembull, andaj është tejet e rëndësishme që të adresohen çështjet e kategorive sociale, familjeve të cilat nuk mund mbulojnë shpenzimet mujore dhe më pas të flasim për rritje të pagave të politikanëve edhe pse pagat e politikanëve është e rëndësishme në betejën kundër korrupsionit, por edhe tërheqjes së kuadrit të ri në politikë.”, - deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Nga VMRO-DPMNE konsiderojnë se në një kohë inflacioni, përderisa qytetarët kalojnë ditën me vetëm 150 denarë, gjëja e fundit që duhet bërë është të rriten pagat e zyrtarëve.
 
“VMRO-DPMNE kërkon menjëherë që të ulet dhe korrigjohet koeficienti për vendet e punës me ç’rast do të uleshin rrogat e funksionarëve. Ata nuk guxojnë të jenë qytetarë të privilegjuar, por shërbëtorë të popullit.”, - theksoi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
 
Por, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, është shprehur se ligji duhet respektuar.
 
“Kuptohet se askush nuk mund të mos respektojë vendimin e gjykatës kushtetuese. Unë jam njëri prej atyre, i cili angazhohet që sundimi i së drejtës të jetë i pakontestueshëm, nëse ka ndonjë bazë tjetër për ndërhyrje, unë do të jem i pari që do ta mbështesë.”, - u shpreh zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
Me vendimin e Gjykatës kushtetuese përpos politikanëve nisur nga presidenti, kryeministri, kryeparlamentari dhe ushtruesi i funksioneve publike, përfshihen edhe gjykatësit e kushtetueses. Nga shoqata e gjykatësve thonë se rritja duhet respektuar.
 
“Çështje tjetër është se shteti a ka për momentin kapacitete ekonomike dhe financiare që të përmbushë këto kërkesa. Këtë e dinë njerëzit në qeveri. Vendimi i gjykatës kushtetuese është vendim, i cili duhet të respektohet.”, - theksoi kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Xhemali Sahiti.
 
Gjykata kushtetuese në seancën e 21 marsit solli vendimin duke shfuqizuar nen të ligjit për bazën e përllogaritjes së rrogës së zyrtarëve prej rreth 26 mijë denarë. Pas vendimit të gjykatës përllogaritja bazë kaloi në mbi 46 mijë denarë.
 
MERAL ISMAILI