Maqedoni
Sindikata e Ministrisë së Kulturës, protesta me kërkesë për rritje pagash
31.03.2023 18:12
Ne fituam bukë prej 33 denarëve, kurse ministrat me 1.800 euro do të blejnë çfarë të duan...

Ne fituam bukë prej 33 denarëve, kurse ministrat me 1.800 euro do të blejnë çfarë të duan, thanë punonjësit e Ministrisë së Kulturës, të cilët për të gjashtën ditë protestojnë para Qeverisë duke kërkuar rritje rroge.
Deri tani askush prej zyrtarëve nuk i ka pranuar në negociata, prandaj ato kërkojnë mbështetje edhe prej kolegëve nga ministritë e tjera, që së bashku të luftojnë për të ardhura më të larta.
“Një ministër do të merr pagë prej 1.800 euro, kurse një i punësuar në administratën shtetërore do të fiton rrogë mesatare prej 400 euro. Pagat e funksionarëve do të jenë katër herë më të larta se sa pagat e të punësuarve në sektorin publik.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës në Ministrinë e Kulturës, Branko Kostovski.
“Nëse zyrtarët mund të marrin një rritje rroge prej 78%, ne gjithashtu mund të marrim të paktën 30%. Ne mbetëm vendi me inflacionin më të lartë dhe pagat më të ulëta. Ne kemi mbetur një vend ku duket qartë se punëdhënësi ynë, qeveria dhe ministritë, nuk kujdesen për punonjësit, por vetëm për xhepat e tyre.”, - theksoi kryetari i Sindikatës së punonjësve të administratës, Trpe Deanoski.
Siç bënë me dije protestuesit, nëse këto ditë nuk marrin përgjigje, do t'u drejtohen instancave të tjera, përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe do të kërkojnë mbështetjen e tyre.
ERSAN PAJAZITI
