Maqedoni
Ukrainë, lufta në Ukrainë shënon 400 ditë
31.03.2023 18:58
Lufta në Ukrainë shënon 400 ditë...

Me këtë rast presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, pati një paraqitje para opinionit duke vlerësuar ata që ndihmuan në forcimin e qëndrueshmërisë së vendit. Ai tha se Ukraina përjetoi ditët më të tmerrshme, por që me sukses mbijetoi edhe këtë dimër, falë përpjekjeve kolosale të ushtrisë ukrainase, por edhe të ndihmave të partnerëve.
“Kjo është një rrugë kolosale që ne kemi ecur. Të gjithë së bashku, të gjithë ata që luftuan dhe luftojnë për Ukrainën, për të gjithë ata që u kujdesën dhe vazhdojnë të kujdesen për shtetin dhe ukrainasit, për ata që ndihmuan dhe ndihmojnë logjistikën tonë, ne jemi duke përgatitur hapat tanë të ardhshëm, veprimet tona aktive. Ne po përgatisim afrimin e fitores sonë.”, - deklaroi presidenti, Volodimir Zelensky.
Ndërkohë, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko, që njihet edhe si i afërt me shtetin rus, bëri thirrje për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Ne duhet të ndalemi tani, përpara se të fillojë një përshkallëzim të situatës. Unë do të rrezikoj të sugjeroj një fund të armiqësive. Një deklaratë të një armëpushimi.”, - theksoi presidenti i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko.
Kremlini dëgjoi propozimin e presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, për shpalljen e armëpushimit në Ukrainë, por asgjë nuk ndryshon për Moskën në këtë kontekst. Për momentin, një operacion special ushtarak në Ukrainë është mënyra e vetme për të arritur qëllimet e Rusisë, thonë nga Kremlini.
“Në kontekstin e Ukrainës, asgjë nuk ndryshon. Një operacion special ushtarak është në vazhdim, pasi kjo është aktualisht e vetmja mënyrë për të arritur objektivat me të cilat përballet vendi ynë.”, theksoi përfaqësuesi zyrtar i Kremlinit.
Megjithatë Peskov pranoi se presidenti rus, Vladimir Putin, do të diskutonte me Alexander Lukashenko idenë e tij për një armëpushim me Ukrainën.
BELINDA KOKA ADEMI
