Maqedoni

Ngrihen çmimet e produkteve higjienike, Qytetarët: Nuk vërehet ulje e madhe

01.04.2023 16:19

Tregu ka filluar të zbatojë vendimin e qeverisë për uljen e çmimeve të disa produkteve higjienike për 13%...

Tregu ka filluar të zbatojë vendimin e qeverisë për uljen e  çmimeve të disa produkteve higjienike për 13% dhe poashtu  edhe ngrirjen e tyre. Sidoqoftë disa qytetarë konsiderojnë se megjithatë çmimet ende janë të larta ndërsa disa të tjerë  nuk mund të zënë rend nëpër markete, për shkak të ngritjeve dhe uljeve të shpeshta të çmimeve.
 
“Nuk i kam vërejtur, unë blej çdo ditë. Sado që të jenë është plus për ne.”, u shpreh një qytetare.
 
“Çfarë ulje! Ngrit çmimet pastaj uli. Asgjë.”, tha një qytetare.
 
“Asgjë s'është liruar vetëm e gënjejnë popullin.  S'është mirë dhe është mëkat. Dikujt t'i rritet rroga për 700 euro, a pensionistët nuk ia  dalin muajit.”, u shpreh një qytetare.
 
Bekteshi: Të martën vendim për çmimet e pemëve dhe perimeve
 
Javën e ardhshme pritet vendim edhe për uljen dhe ngrirjen e çmimeve të pemëve dhe perimeve.
 
“Të martën sipas gjasave do të sjellim vendim në interes të qytetarëve ku do të ngrijmë çmimet e disa pemëve dhe perimeve. Do të jenë  mbi dhjetë produkte të cilat do të përfshihen në vendimin e propozuar  nga Ministria e Ekonomisë duke u bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë dhe të doganës. Për fat të keq gjatë muajit mars duke u bazuar në të njëtat të dhëna, tregtarë të ndryshëm me produkte bujqësore kanë pasur marzha të fitimit mbi 100% 200% në disa raste dhe me siguri pas 20 prillit do të rritet prodhimi vendor, për shkak se është sezoni dhe do të ndikojë në uljen e çmimeve.”, tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Vendimi për ngrirjen e çmimeve higjienike sipas ministrit Bekteshi do të jetë në fuqi deri në 31 maj 2023. Nuk përjashtohet mundësia që masa të vazhdojë edhe për artikuj dhe produkte të tjera. Nga e hëna do të rriten kontrollet në kaudër të tregjeve të gjelbërta ndërsa marketet sipas Bekteshit kanë transparencë në çmime.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU