Botë
Rusia dhe SHBA u përplasën në OKB për armët taktike bërthamore
01.04.2023 17:39
Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore është më i lartë se kurrë, paralajmërojnë Kombet e Bashkuara....

Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore është më i lartë se kurrë, paralajmërojnë Kombet e Bashkuara. Pas njoftimit të presidentit rus Putin për të vendosur armë bërthamore jostrategjike në Bjellorusinë fqinje deri në korrik, Këshilli i Sigurimit po paralajmëron për kërcënime të afërta.
“Të gjitha shtetet duhet të shmangin marrjen e çdo veprimi që mund të çojë në përshkallëzim, gabim ose llogaritje të gabuar. Shtetet duhet të respektojnë rreptësisht angazhimet që kanë marrë në bazë të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.”, tha Izumi Nakamitsu, përfaqësuese e OKB-SË.
Sipas organizatës, lufta në Ukrainë dhe mungesa e dialogut, e kombinuar me retorikën e rrezikshme, janë rreziqet kryesore për përshkallëzimin bërthamor.
“Presidenti rus Putin i ka kujtuar edhe një herë botës mosrespektimin e ligjit ndërkombëtar, përfshirë Kartën e OKB-së.”, tha Robert Wood, zv/ përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në OKB.
Rusia merr presidencën e Këshillit të Sigurimit nga sot. Përfaqësuesit e Moskës dhe Minskut kërkuan që Uashingtoni të linte mënjanë mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe të kthente të gjitha armët bërthamore amerikane në territorin e tij.
“Në vitet 1990, Rusia ndërmori të gjitha përpjekjet e mundshme për të tërhequr armët bërthamore nga vendet e ish-BRSS dhe për t'i sjellë ato në territorin e saj.”, tha Vasily Nebenzya, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB.
“Ne i bëjmë thirrje Ukrainës që të mos ndalet në gjysmë të rrugës dhe të tregohet e guximshme dhe të kërkojë që NATO t'i japë fund praktikës së misioneve të shkëmbimit të armëve bërthamore. I bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të tërheqin armët nga Belgjika, Gjermania, Holanda, Italia dhe Turqia.”, tha Valentin Rybakov, përfaqësuesi i përhershëm i Bjellorusisë në OKB.
Presidenti ukrainas Zelensky beson se Rusia po vendos armë bërthamore në Bjellorusi për shkak të takimit të dështuar me liderin kinez Xi Jinping.
“Fakti është se instalimi i armëve bërthamore nga Rusia në Bjellorusi tregon një takim të dështuar me Kinën”. Unë besoj se presidenti bjellorus nuk mund të vendosë më se çfarë armësh janë në territorin e tij”. tha presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Ministri rus i Mbrojtjes njoftoi se Moska ka rritur ndjeshëm prodhimin e armëve me precizion të lartë.
“Hapat për zgjerimin e objekteve të prodhimit dhe përmirësimin e produktivitetit kanë bërë të mundur rritjen e ndjeshme të prodhimit të armëve për trupat, duke përfshirë armët konvencionale dhe me precizion të lartë. E gjithë kjo na lejon të arrijmë qëllimet e vendosura nga komandanti i përgjithshëm bazuar në planin e operacionit special ushtarak.”, tha Sergei Shoigu, ministër i mbrojtjes i Rusisë.
Në front, Ministria e Punëve të Brendshme e Ukrainës pretendon se janë formuar tetë brigada për të sulmuar Krimenë dhe Donbasin dhe janë gati për një ofensivë. Rusia pretendon se Kievi po bombardon përsëri Donetskin.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
