Botë
Bisedimet në Bruksel, DASH-i përshëndet takimin Mustafa-Vuçiç
11.02.2015 14:47
Departamenti amerikan i Shtetit përshëndeti takimin mes kryeministrave, Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç...

Departamenti amerikan i Shtetit përshëndeti takimin mes kryeministrave, Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç, me pjesëmarrjen e shefes së politikës së jashtëm të BE-së, Federica Mogherini, që çoi në nënshkrimin e marrëveshjes për çështjet e drejtësisë.
DASH-i e cilësoi takimin si sukses në kuadrin e dialogut të nivelit të lartë.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, tha se kjo marrëveshje shënon një hap përpara në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara, tha Psaki, do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht të gjitha palët në këtë përpjekje.
Por përkundër vlerësimit të DASH-it, AAK-ja kërkon transparencë dhe llogaridhënie nga ana e qeverisë për marrëveshjen e arritur mbi drejtësinë.
Aleanca shprehu shqetësimin për nxitimin që të arrihet marrëveshje për drejtësinë, i cili rezultoi me improvizim që paraqitet përmes kuotave të veçanta dhe që komprementon rendin kushtetues të Kosovës.
“I bëjmë thirrje kryeministrit Mustafa që të ndërpresë praktikat e deritashme, të trazuara nga ish-kryeministri Thaçi, tashmë zëvendës i Mustafës në qeveri, duke bërë njoftimet për qytetarët e Kosovës vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjeve. Aleanca konsideron se mungesa e diskutimit paraprak dhe konsultimeve më të gjera me partitë politike dhe ekspertët e pavarur për marrëveshjet e tilla, sidomos të kësaj të fundit për drejtësinë, nuk i kontribuon qartësisë dhe vendosmërisë për mbrojtjen e interesave shtetërore të Kosovës dhe të rendit kushtetues”- thuhet në komunikatë.
Aleanca pret nga kryeministri Mustafa dhe delegacioni i Qeverisë së Kosovës në dialogun në Bruksel që të informojë me saktësi dhe në detaje opinionin publik, partitë politike dhe qytetarët e Kosovës.
GYLTENE SINANI
