Maqedoni
Heqja e 20% nga Kushtetuta, Iseni: Partnerët e koalicionit të kenë qëndrim unik
02.04.2023 13:53
Pavarësisht momentit delikat në të cilin ndodhet vendi sa i përket përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë...

Pavarësisht momentit delikat në të cilin ndodhet vendi sa i përket përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë si kusht për fillimin edhe zyrtarisht të negociatave me BE-në, partitë shqiptare duhet të kenë një qëndrim të unifikuar sa i përket heqjes së 20% nga Kushtetuta. Iseni shton gjithashtu se kjo është një e drejtë legjitime për shqiptarët.
“Hapja e Kushtetutës nuk ndodh shpesh, domethënë një herë ndodh dhe nuk mendojë se do të ndodhë përsëri pas kësaj që pritet të ndodhë dhe është sërisht pikëpyetje, sepse, nuk janë numrat. Është shumë e drejtë legjitime e shqiptarëve për heqjen e 20% dhe jam i bindur se nëse tani kjo nuk do të ndodh, nuk besoj që 10 apo 20 vitet e ardhshme, shqiptarët do ta kenë këtë mundësi shumë të madhe për ta hequr atë nënçmim që e kanë në Kushtetutë.”, u shpreh për TVM2 politologu Xhenur Iseni.
Heqja e 20% nga Kushtetuta, Iseni: Është e drejtë legjitime
Kërkesën e ASh-së për heqjen e 20% politologu Xhenur Iseni e sheh si legjitime pasi vetë Aleanca tërë kauzën e saj politike e ka ndërtuar mbi këtë çështje, e tani nëse s’do të mund realizojë, si subjekt politik mund të ketë pasoja politike.
“Poqese dështon ta realizojë këtë ide brenda qeverisë dhe siç e thatë LSDM dhe BDI bëhen në një anë, atëherë ASh-së i digjet kjo kauzë dhe do ta ketë shumë të rëndë të del para elektoratit të saj në zgjedhjet e ardhshme.”, tha Iseni.
Politologu Iseni duke u bazuar në retorikën që kanë partitë, e sidomos VMRO-DPMNE ndaj ndryshimeve kushtetuese, shprehet skeptik se procesi i ndryshimeve kushtetuese të ndodhë këtë vit. Ai mendon se edhe partitë tjera do të vënë kushtëzimet e tyre në mënyrë që të imponjnë veten në skenën politike.
ERSAN PAJAZITI
