Botë
Zelensky e quan “absurd” presidenceën ruse të Këshillit të Sigurimit
02.04.2023 15:51
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka kritikuar marrjen e presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ...

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka kritikuar marrjen e presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Rusia si lajm “absurd dhe shkatërrues”. Sipas tij, kjo dëshmon “falimentimin e plotë të institucioneve ndërkombëtare”. Zelensky tha se “ata që janë përgjegjës për terror” nuk duhet të lejohen të kryesojnë organet ndërkombëtare.
“Ushtria ruse vrau një tjetër fëmijë ukrainas – një djalë 5 muajsh nga Avdijivka. Dhe në të njëjtin moment, Rusia kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së.”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky
Më herët, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, e quajti marrjen e presidencës nga Rusia “një shuplakë në fytyrë për komunitetin ndërkombëtar”. Ai u kërkoi anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mos e lejojnë Moskën të abuzojë me presidencën e saj. Këshilltari presidencial në Ukrainë, Mykhaylo Podolyak, tha se kjo ngjarje ishte “një tjetër përdhunim i ligjit ndërkombëtar”.
Rusia mori presidencën njëmujore, e cila ndërrohet në bazë të një rendi, të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 1 prill - për herë të parë që nga shkurti i vitit 2022, kur nisi luftën e saj të paprovokuar kundër Ukrainës. Pushtimi rus i Ukrainës shkeli Kartën e OKB-së, e cila kërkon që shtetet të përmbahen nga përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të një shteti tjetër. Disa ditë pasi kishte filluar pushtimi i Ukrainës, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një rezolutë duke kërkuar që Rusia t'i jepte fund luftës së saj në Ukrainë. Rusia bllokoi miratimin e një rezolute të ngjashme në Këshillin e Sigurimit.
Presidenca ruse e Këshillit të Sigurimit të OKB-së vjen gjithashtu pas një urdhër-arresti të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për presidentin rus Vladimir Putin, duke e akuzuar atë si përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën një krim lufte.
GYLTENE SINANI
