Botë
Tragjedi në Mesdhe, mbyten dy anije me mbi 200 klandestinë
11.02.2015 15:08
Mbi 200 klandestinë kanë gjetur vdekjen nga mbytja e anijes me të cilën po udhëtonin drejt brigjeve italiane...

Nëntë klandestinë u shpëtuan pas katër ditësh në det, ndërsa 203 të tjerë janë marrë nga dallgët.
Të hënën, 29 klandestinë gjetën vdekjen kur varka me të cilën po udhëtonin u përmbyt nga deti i trazuar. Shtatë prej tyre kishin vdekur kur u gjetën nga anijet e shpëtimit, pranë brigjeve të Lampeduzës, ndërsa të tjerët ndërruan jetë nga hipertermia pas qëndrimit prej 18 orësh në anijen që i nxori nga uji.
Të mbijetuarit rrëfejnë momentet e tmerrit, por edhe për një fakt tjetër. Numrat e viktimave mund të shtohen, pasi të mbijetuarit thonë se nga Libia ishin nisur 4 anije.
“Ne folëm me 9 të mbijetuarit që treguan për tre ditët e tmerrit të përjetuar. Ne gjetëm vetëm 29 të ngrirë nga i ftohti, por ata tregojnë për varka të tjera të mbytura, kështu numri shkon në 203. Vetëm dy shpëtuan nga varka e parë dhe 7 nga e dyta. Por, ka edhe të tjerë në det. Një nga të mbijetuarit foli se kur janë nisur nga Libia, para anijes së tyre ishin tre anije të tjera. Kështu që ka varka të tjera, por nuk e dimë ku. Nëse konfirmojmë që ka edhe një varkë tjetër të mbytur, numri i viktimave do të kalojë në 300”- deklaroi Federico Fausti nga UNHCR.
Autoritetet italiane thonë se emigrantët ilegalë trajtohen vetëm si objekte fitimi nga trafikantët. Ata paguajnë para udhëtimit, kështu që askush nuk mban përgjegjësi nëse arrijnë në tokën e premtuar apo humbasin rrugës.
Organizata Ndërkombëtare e Migrimit thotë se që të dyja anijet janë nisur nga brigjet e Libisë ditën e shtunë dhe secila prej tyre kishte në bord mbi 100 persona kur u mbytën, me shumë gjasa ditën e hënë.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
