Botë

Marshi për Drejtësi një ditë para gjyqit për ish krerët e UÇK-së

02.04.2023 16:54

Në Prishtinë mbahet “Marshi për Drejtësi”, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që janë në Hagë...

Në Prishtinë mbahet “Marshi për Drejtësi”, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që janë në Hagë.
 
Në marshin e organizuar nga platforma “Liria Ka Emër” dominonin pankartat “Historia jonë nuk mund të rishkruhet”, “Marshojmë për drejtësi” dhe “Drejtësi jopolitike”. Në mënyrë të organizuar, mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës, por dhe nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria shkruan për të marshuar në Prishtinë. 
 
Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës. Përveç partive opozitare, edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka mbështetur këtë nismë. “Marshi për drejtësi” është ideuar për ta ruajtur “të vërtetën për luftën e UÇK-së”. 
 
Të hënën, më 3 prill do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999. Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza.