Botë
Hagë, hapet gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi deklarohen të pafajshëm
03.04.2023 10:15
Sot u hap gjykimi kundër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi....

Sot u hap gjykimi kundër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Specialja njofton se secili prej të akuzuarve “është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Por, ish-krerët e UÇK-së; Thaçi, Selimi, Veseli dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat për të cilat ngarkohen në aktakuzë.
Këto krime përfshinë përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave. Gjithashtu janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”. 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK.
Në Hagë po mbahet edhe protestë nga një numër i madh i shqiptarëve të jetojnë jashtë Kosovës, të cilët me dhjetëra autobusë kanë shkuar në Hagë. Përveç këtyre, në Hagë është duke qëndruar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili është shprehur i bindur se ish-krerët e UÇK-së do të kthehen fitimtarë në Kosovë.
