Maqedoni

Plenumi Studentor, UKIM shpallet “zonë autonome”

11.02.2015 15:55

Plenumi Studentor Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” e shpalli zonë autonome nën kontroll të studentëve...

Në mënyrë simbolike, ata okupuan kampusin e universitetit dhe sonte do të flenë në ambientet e Fakultetit Filozofik, ku do të zbatojnë mësim alternativ.
 
Studentët nuk do të tërhiqen nga kjo nismë derisa të plotësohen kërkesat e tyre për tërheqjen e Ligjit për Arsim Sipëror dhe formulimin e një ligji të ri, ku studentët dhe profesorët do të inkuadrohen dhe do të dëgjohen qëndrimet e tyre. Plenumi Studentor u bën ftesë edhe studentëve nga USHT-ja dhe UEJL-ja që t’i bashkëngjiten kësaj nisme dhe shpresojnë në përkrahje masive.
 
“Plenumi Studentor është i përbashkët, ne bashkëpunojmë mes vete dhe askush nuk mund të na ndajë. Kemi filluar pranë UKIM-it dhe do të zgjerohemi edhe në fakultete tjera”- deklaroi Meri Cvetkova nga Plenumi Studentor.
 
“Kërkojmë e tërë pakoja ligjore të pezullohet dhe të formulohet ligj i ri, me të cilin do të zëvendësohet ligji ekzistues, të ketë marrëveshje mes MASH-it dhe rektoratit, ku do të marrë pjesë aktive edhe Plenumi i Studentëve dhe Profesorëve dhe grupet punuese të fillojnë me punë menjëherë”- tha Aleks Knezhevic nga Plenumi Studentor.
 
“Këtu do flemë deri sa nuk plotësohen të drejtat tona dhe i thërras të gjithë studentët që të na bashkëngjiten”- theksoi studenti, Denis Ismaili.
 
Edhe profesorët nga Plenumi i Profesorëve do t’u bashkëngjiten kësaj nisme dhe së bashku do të kalojnë natën në universitet deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara.
 
“Ne i përkrahim studentët në kërkesat e tyre, nëse duhet të kalojmë natën këtu, atë do ta bëjmë sonte. Nëse iu nevojitet ushqim, atë do ua sjellim, sepse universiteti është shtëpia jonë dhe e studentëve”- u shpreh profesoresha, Sinolika Trpkovska.
 
Plenumi Studentor kërkon marrëveshje mes konferencës interuniversitare dhe MASH-it, ku do të garantohet pjesëmarrje e Plenumit Studentor në përpilimin e ligjit të ri për arsim sipëror. Në të kundërtën, thonë studentët, do të vazhdojnë me okupimin e universiteteve tjera në vend, deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara.
 
FLUTURA LATIFI