Botë

“Uagner” pretendon marrjen e Bakhmudit, Ukraina e përgënjeshtron lajmin

03.04.2023 11:33

Kreu i grupit mercenar rus “Uagner” thotë se ai ka ngritur një flamur rus mbi bashkinë e Bakhmudit në Ukrainë....

Kreu i grupit mercenar rus “Uagner” thotë se ai ka ngritur një flamur rus mbi bashkinë e Bakhmudit në Ukrainë. Por, Ukraina e hodhi poshtë videon dhe këmbënguli se ushtria e saj ende mban Bakhmudin, një qytet lindor, të cilin Rusia ka kaluar muaj të tërë duke u përpjekur për ta kapur.

“Armiku nuk e ka ndalur sulmin e tij ndaj Bakhmudit. Megjithatë, mbrojtësit ukrainas po e mbajnë me guxim qytetin, ndërsa zmbrapsin sulme të shumta armike.”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
 
Analiza nga Instituti për Studimin e Luftës tha se, që nga e diela, Ukraina ende mbante pjesën më të madhe të qytetit, megjithëse trupat ruse po përpiqeshin ta marrin atë nga jugu dhe lindja. Mijëra ushtarë rusë dhe ukrainas kanë vdekur në luftën për kontrollin e qytetit dhe mendohet se humbjet ruse kanë qenë shumë më të larta se ato të Ukrainës.