Botë

Hagë, fillon gjykimi i ish-liderëve të UÇK-së, ish-liderët e UÇK-së: Jemi plotësisht të pafajshëm

03.04.2023 13:31

Katër ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi....

Katër ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzën e krimeve të luftës në seancën e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ata janë njohur me akuzën dhe të pyetur nëse i qëndrojnë deklaratave të mëparshme, kanë konfirmuar.
 
“E kuptoj aktakuzën dhe jam plotësisht i pafajshëm.”, - deklaroi Hashim Thaçi.
 
“Po gjithsesi e shpreh pakënaqësinë time për një vonesë prej dy vjet e gjysmë. Megjithatë  ju falënderoj, tërësisht i pafajshëm.”, - theksoi Kadri Veseli.
 
”E them edhe një herë se jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.”, - u shpreh Rexhep Selimi.
 
“E kam të vështirë të kuptoj këtë aktakuzë, sepse nuk kam asnjë lidhje me këtë aktakuzë. E kuptoj aktakuzën kështu siç është, por nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza. Jam plotësisht i pafajshëm.”, - deklaroi Jakup Krasniqi.
 
Prokuroria tha se provat gjenden në komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja, nga intervistat e të akuzuarve dhe nga njoftimet zyrtare. Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, do të fillojë më 11 prill 2023. Prej nëntorit të vitit 2020, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, gjenden në paraburgim në Hagë të Holandës. Dhomat e Specializuara dhe ZPSK-së, me seli në Hagë, janë krijuar pas votimit më 2015 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ky institucion, që njihet edhe si Gjykata Speciale, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
 
Në ndërkohë u zhvillua protesta e shqiptarëve në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj të cilëve ka nisur gjykimi. Protesta ka përfunduar me thirrjet për drejtësi dhe lirimin e tyre.
 
SAFET ADEMI