Maqedoni
Eurointegrimi, përfshirje inkluzive për avancimin e procesit
03.04.2023 15:28
Sektori civil me përpjekje të reja për avancimin e procesit të integrimit duke kërkuar përfshirje dhe mbështetje të gjerë apartiake....

Sektori civil me përpjekje të reja për avancimin e procesit të integrimit duke kërkuar përfshirje dhe mbështetje të gjerë apartiake. Nga Instituti për qeverisje të mirë dhe perspektiva evropiane konsiderojnë se procesi duhet të ngritet në nivel kombëtar me përfshirjen e ekspertëve, sektorit civil dhe të rinjve duke mos përjashtuar as mundësinë e dorëzimit të propozimeve ligjore.
“Shumë organizata, kompani, opozita, të gjithë duhet të kuptojnë se ky është një proces i përbashkët. Këtë duhet ta kuptojë edhe qeveria dhe duam të zgjasim dorën se të gjithë duhet të kyçemi në proces, si mbi partiak dhe kombëtarë, pasi që integrimi evropian nuk është pronë e një partie ose e një qeverie e as pjesë e popullit. Kjo është pronë e të gjithëve pasi që benefitet do t’i ndjejmë të gjithë.”, - deklaroi kryetari i Institutit për perspektiva euroatlantike, Bojan Kordalov.
Reformat do të duhet të jenë prioriteti, thonë nga Instituti, nisur nga fakti që Maqedonia e Veriut veç më ka nisur procesin e skriningut.
“E rëndësishme është që ne të mbetemi në këtë rrugë që është interesi i ynë. Kuptohet se ne do të kemi vërejtje, pasi që nga ne kërkojnë shumë, para se gjithash kërkojnë të reformohemi, të ndryshojmë mënyrën se si funksionojmë, punojmë, se si sillemi si qytetarë, subjekte politike dhe shoqërore. Ideja e këtij procesi nuk është përballja e brendshme, por të gjejmë formën se si të punojmë së bashku për të ndryshuar veten.”, - deklaroi anëtari i Institutit për perspektiva euroatlantike, Aleksandar Ivanovski.
Ndërkohë të rinjtë e vendit janë të interesuar për ndryshime dhe instalimin e vlerave evropiane.
“Rinia është shtylla e shoqërisë sonë, ardhmëria dhe shtysa e proceseve, e cila do të duhet të përfshihet gjithkund dhe në marrjen e vendimeve më të rëndësishme.”, - theksoi anëtarja e programit amerikan “Yes Alumni”, Teodora Boshkova.
Vendi për tridhjetë vite ka regjistruar ikje masive të të rinjve, pakënaqësi të madhe dhe zhgënjim nga funksionimi i shtetit. Frika dhe ndasitë e mëtejme mund të stërzgjatin procesin, u tha në debatin e organizuar.
MERAL ISMAILI
