Përgjimet, euroambasadori Orav takon Ahmetin dhe Thaçin

11.02.2015 16:48

Euroambasadori, Aivo Orav, është takuar sot në Tetovë me krerët e politikës shqiptare, liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe atë të PDSH-së, Menduh Thaçi....

Në selinë blu në Tetovë, ka qëndruar sot edhe i dërguari i veçantë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë për shtetet e Evropës Juglindore, Ernst Reiçel.

Padyshim që përgjimet e zbardhura të hënën nga opozita maqedonase kanë qenë në qendër të diskutimeve. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar krijimin e një grupi politik dhe të një grupi ekspertësh ndërkombëtar për menaxhimin e situatës.

“Ne e kërkojmë këtë që kam kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, unë e kam kërkuar edhe nga partnerët e mi të koalicionit, që të krijohet grup i pavarur ndërkombëtar, me qëllim që besueshmëria për tërë procesin të ketë kredibilitet. Jemi kundër drejtësisë selektive, e vërteta le të dalë në shesh, por ajo e vërtetë që do të dalë le të jetë e pranueshme dhe e aceptueshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, edhe për viktimat edhe për ata që kanë shkaktuar dëme”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Por, lideri i BDI-së ka ripërsëritur sot edhe një herë se situata duhet të menaxhohet me gjakftohtësi dhe të priten vendimet e institucioneve kompetente për rastin.

“BDI punon, vepron jashtë emocioneve, jashtë zhgënjimeve, vepron dhe punon me kokë të ftohtë. Analizojmë, studiojmë çdo veprim dhe asnjë veprim nuk do bëhet që dëmton qytetarët e Republikës së Maqedonisë, shqiptarët, maqedonasit dhe të gjithë komunitetet tjera që jetojnë në vend. Nuk do të udhëhiqemi nga emocionet, por nga arsyeja, nga racionaliteti. Kjo duhet të vlejë edhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë”- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Por, BDI gjithsesi nuk do të ngrejë padi ndaj atyre që kanë urdhëruar përgjimin. Madje, Ahmeti thotë se nëse ka fakte për vepra të caktuara është mirë që ato të dihen.

“BDI nuk do të ngrisë padi ndaj asnjë institucioni. Ngjarje të tilla, zhvillime të tilla kanë ndodhur edhe në shumë vende tjera më të përparuara se Republika e Maqedonisë. BDI nuk ka kurrfarë shqetësimi mbi ndonjë zhvillim të brendshëm. Unë apeloj që gjithçka çka ka, përderisa opinioni dhe ju jeni aq kureshtarë, le të dalë në opinion, le të dihet gjithçka, qoftë për institucion, qoftë për individë”- u shpreh Ahmeti.

PDSH, përmes një komunikate për media, informoi opinioni për takimin e kreut të saj, Thaçit, me euroambasadorin Orav. Thaçi ka potencuar se zhvillimet e fundit tregojnë se në Maqedoni asgjë nuk funksionon në vijë ligjore dhe të demokracisë së vërtetë.

Thaçi i ka potencuar z. Orav se liderët e PDSH-së qysh prej viteve 93 kanë qenë të ndjekur, survejuar, të përgjuar dhe se asnjë individ për këto përgjime nuk ka dalë para drejtësisë.

Kryetari Thaçi gjithashtu potencoi se ngritja e një gjyqi special me vëzhgim dhe asistim të plotë ndërkombëtar, ku do të përfshiheshin të gjitha rastet e këtilla që nga viti 93, do të ishte ndoshta e vetmja shpresë që rastet e këtilla mos të përsëriten. (Miftar Emini, TVM2)