Botë
Situata parazgjedhore në Shqipëri
03.04.2023 16:48
Kur na ndan më shumë se 1 muaj nga zgjedhjet vendore në Shqipëri, situata duket e polarizuar edhe brenda opozitës...

Kur na ndan më shumë se 1 muaj nga zgjedhjet vendore në Shqipëri, situata duket e polarizuar edhe brenda opozitës. Partia Socialiste në pushtet duket komode pasi ka përballë një Parti Demokratike të përçarë, ndërsa sondazhet parazgjedhore e nxjerrin fituese në mënyrë të bindshme. Ditët e fundit fushata socialiste është përqendruar në akuzat ndaj bashkëshortes së ish-presidentit, Ilir Meta, si e financuar nga oligarkë rusë në vitin 2017. Për socialistët, Monika Kryemadhi duhet të hetohet pasi ka cenuar sigurinë kombëtare.
“Deputetja Kryemadhi do të duhet të sqarojë se çfarë janë këto para? Çfarë janë këto llogari offshore? Përse nuk janë deklaruar në ILDKP shumat dhe llogaritë bankare nga ku janë marrë para? A ka pasur ajo biznese me rusët? A ka marrë dividend? Nëse po, çfarë kërkonin rusët nga Monika Kryemadhi në këmbim të rublave? E kërkonin si deputete apo si bashkëshorten e presidentit? Në të dyja rastet, implikimi i një politikaneje shqiptare në skemat e errëta të financimeve ruse, është një goditje e rëndë ndaj demokracisë, ndaj vlerave evropiane për të cilat punon e lufton aq shumë vendi ynë.”, - deklaroi deputetja e PS-së, Klotilda Bushka.
Akuza të artikuluara shpesh nga selia rozë, janë mohuar kategorikisht nga deputetja Monika Kryemadhi, edhe pse kanë dalë dokumente të transaksioneve me kompanitë ruse. Ndërkohë, Enkelejda Alibeaj që drejton Partinë Demokratike e ka përqendruar fushatën jo kundër mazhorancës, por brenda llojit. Ai akuzon Sali Berishën se ka përdorur vulat dhe simbolet e PD-së zyrtare në koalicionin me Ilir Metën. Kundërpërgjigja i ka ardhur në mënyrë të vazhdueshme nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e akuzon se ka bërë pakt të fshehtë me Ramën, për t’i dhënë fitoren në zgjedhjet e 14 majit. Në këtë situatë, rezultati i këtij procesi nuk pritet të prodhojë supriza, por të sjellë rikonfirmimin edhe në pushtetin vendor të partisë së Edi Ramës.
LULJETA NDOKA
