Maqedoni

Gjykata e Apelit, kthen në rigjykim “Organizatorët e 27 prillit”

03.04.2023 17:29

Të akuzuarit në rastin “Organizatorët e 27 prillit” do të rigjykohen...

Gjykata e Apelit pranoi ankesat e të akuzuarve Trajko Veljanoski, Spiro Ristovski, Mile Janakieski dhe Vlladimir Atanasovski, duke e shfuqizuar aktgjykimin e shkallës së parë, kështu që lënda rikthehet për rigjykim.

Gjykata e apelit thotë se Gjykata Themelore Penale është dashur ta shqyrtojë në masë më të madhe çështjen e dispozitave që ka të bëjnë me amnistinë e ndjekjes penale.

Ministria e drejtësisë, të reagojë menjëherë këshili gjyqësorë

Ndaj këtij vendimi ka reaguar Ministria e Drejtësisë, duke theksuar se është e qartë se lëshimet e qëllimshme apo të paqëllimshme të thyerjeve serioze edhe më tutje mbeten një praktikë e lejuar për disa gjykatës.

"Është e nevojshme që menjëherë të merret një përgjigje e duhur, pse kjo lejohet në vazhdimësi, pra pse në aktgjykimin e shkallës së parë nuk janë vërtetuar të gjitha rrethanat kontestuese dhe as faktet e rëndësishme që kanë të bëjnë me veprën penale të kërcënimit terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, theksojnë nga Ministria e Drejtësisë, duke kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që të reagojë menjëherë për të analizuar se në çfarë rrethana është marrë aktgjykimi.

ASh, dhuna e 27 prillit duhet të marrë dënimin

Reagim edhe nga Aleanca për Shqiptarët.

“Dhuna e 27 prillit 2017 në institucionin më të lartë ligjvënës në vend është një nga ngjarjet më të rënda dhe më skandaloze që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, për diskreditimin dhe njollosjen e shtetit nga një regjim. Aktet e këtilla duhet të marrin dënimin e merituar për të mos u përsëritur kurrë më në të ardhmen. Në të kundërtën, veprimet e këtilla të gjykatave janë legjitimim dhe inkurajim i krimit dhe terrorizmit”,  thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarë, duke kërkuar nga gjithë partitë që të fillojnë sa më shpejtë të bashkëpunojnë për veting në gjyqësor.

Të akuzuarit, Trajko Veljanoski, Spiro Ristovski, Mile Janakieski dhe Vlladimir Atanasovski, në shkallën e parë të gjykimit ishin shpallur fajtorë dhe u dënuan me gjithsej 25 vjet burg.

Sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, të akuzuarit e dinin saktësisht se çfarë po bënin dhe vepruan me qëllimin e vetëm për të parandaluar formimin e një qeverie nga shumica parlamentare e siguruar tashmë.

Në hetim u përfshinë edhe ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-zyrtari e inteligjencës Nikolla Boshkovski, por procedura për ta u ndal derisa ata të viheshin në dispozicion të organeve ligj zbatuese.

SANIJE DURAKU