Maqedoni
Tetovë, shënohet dita ndërkombëtare e autizmit, Veseli: Ka mungesë logopedësh
03.04.2023 17:51
Ende nuk ka një numër të saktë se sa është numri i fëmijëve autik dhe autizëm në Tetovë...

Ende nuk ka një numër të saktë se sa është numri i fëmijëve autik dhe autizëm në Tetovë. Pas shumë përpjekjeve viteve të fundit kemi arritur që fëmijët me aftësi të kufizuar t’i gëzojnë të gjitha të drejtat si fëmijët tjerë, thonë nga Qendra për zhvillim të fëmijëve me nevoja të veçanta.
Por, kjo e arritur nuk është e mjaftueshme deri sa ka mungesë të lartë të logopedëve, kryesisht në Tetovë. Nga kjo qendër kërkojnë që studentët më shumë të studiojnë logopedinë.
“Nëpër shkolla nuk ka logoped, përveç edukatorëve special dhe rehabilator, që janë dhe stafi profesional që përbëhet edhe nga psikologu, edhe punëtorë social, kështu që për logoped, kemi mungesë sidomos në rajonin e Tetovës, ka mungesë të logopedëve nuk e di, nuk e di ku është arsyeja pse nuk studiojnë logopedi, pasi vetë ne në qendrën tonë, logopedin e kemi nga Gostivari. Ka mungesë të kuadrit logoped, edukator special, psikolog ka, por mungesa e logopedëve në rajonin e Tetovës është në mungesë kuadri.”, - deklaroi Zemrijet Bela Veseli nga Qendra për zhvillim të FNV.
Kasami: Kemi kërkuar pëlqim nga MASh
Për mungesë të kuadrit profesional nëpër shkollat e Tetovës, si psikolog, defektologë, pedagogë, e të tjerë i pari i Tetovës, Bilall Kasami, ia hedh fajin Ministrisë së Arsimit, e cila nuk po miraton pëlqimet për punësim.
“Ne si pushtet lokal kemi kërkuar nga Ministria, për punësim të kuadrit profesional, me psikolog, defektolog, pedagog dhe gjithçka që është e nevojshme që institucionet tona t’ju shërbejnë të gjithë fëmijëve me të gjitha specifikat që kanë, por deri sot nuk kemi gjetur një përgjigje. Ne si komunë kemi treguar gatishmërinë që të jemi pjesëmarrës edhe në pjesën e financimit, që nënkupton që në bllok dotacione të marrim pjesë dhe të financojmë punësimin e këtij kuadri, por kërkojmë nga Ministria të japë pëlqim.”, - theksoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Nga Ministria e Arsimit për TVM2 thonë se në shkurt të këtij viti Komuna e Tetovës ka bërë kërkesë për punësime të reja. Sipas tyre Ministri e Arsimit dhe Shkencës, në fillim të vitit shkollor 2022/2023, kanë shqyrtuar ku është më e nevojshme gjatë vitit dhe pas analizave i është drejtuar Ministrisë së Financave për ato pozita që kanë qenë më të nevojshme dhe të gjitha përgjigjet nga Ministria e Financave i ka dorëzuar në komunën e Tetovës. Ata thonë se ne si Ministri nëse është realisht e nevojshme dhe në kuadër të kapaciteteve që disponojmë do t'i drejtohemi Ministrisë së Financave.
VISAR SADIKU
