Kuvend, vullnetarët dhe honoraristët marrin vendime pune
Punëtorët vullnetarë, me honorarë dhe kontrata në vepër të angazhuar në institucione dhe organe shtetërore, do të marrin vendime të përhershme pune...

Kuvendi, me 68 vota për, e miratoi propozim-ligjin shtesë për transformimin në marrëdhënie të rregullt pune.
Me hyrjen e ligjit në fuqi, punëdhënësit obligohen që në afat prej 30 ditësh të lidhin kontratat me punëtorët e angazhuar, ndërsa hyrja në fuqi e kontratave do të ndodhë në tre faza, më së voni deri në shtator të vitit 2016. Prioritet gjatë punësimit do të kenë personat të cilët janë angazhuar në institucione një periudhë më të gjatë.
“Me këtë ligj parashihet që të gjithë personat të cilët kanë qenë të angazhuar në marrëdhënie pune, e cila nuk ka qenë me karakter të përhershëm, ndërsa sa kanë qenë të angazhuar në marrëdhënie të tillë pune së paku tre muaj, konkluduar deri më datë 30 nëntor 2014, do të mund të realizojnë të drejtën e tyre për të krijuar marrëdhënie të rregullt pune në kohë të pacaktuar”- deklaroi zëvendësministri i Financave, Ardian Xheladini.
Sipas shumicës parlamentare, me këtë ligj do t’u rregullohet statusi rreth 4000 qytetarëve, ndërkaq kjo ndërhyrje ligjore pritet të risë përgjegjësinë dhe cilësinë në punë.
“Ne si grup parlamentar, me bindje të thellë do ta përkrahim këtë propozim-ligj, pasi vlerësojmë se është interes i gjithë qytetarëve të RM-së, interes i asaj kategorie të qytetarëve që kanë nevojën më të madhe që të rregullojnë statusin e vetë, në këtë rast të krijojnë marrëdhënie pune”- tha Rafiz Haliti nga BDI.
“Vlerësimet e fundit tregojnë se bëhet fjalë për tre deri në katër mijë persona të cilët i përfshin ky ligj dhe të cilëve pas miratimit të këtij ligji do të duhet t’u transformohet marrëdhënia e punës në kohë të papërcaktuar”- u shpreh Kërste Mukovski nga VMRO-DPMNE.
Ndërkaq, deputetët e pavarur në opozitë vlerësojnë se me miratimin e ligjeve me procedurë të shpejtë, shpeshherë miratohen ligje të këqija, të cilat duhet të korrigjohen shumë shpejtë, siç ndodhi me Ligjin për Arsim Sipëror dhe Ligjin për Honoraristët.
“Parimisht, një ligj i tillë duhet të miratohet në procedurë të rregullt, me analizë më të thellë dhe ashtu mund të kishte zgjidhje dhe kritere më të mira”- theksoi deputetja e pavarur, Roza Topuzova-Karevska.
Për transformimin e kontratave në marrëdhënie të rregullt pune për punëtorët e angazhuar në institucione, udhëheqësit e institucioneve duhet të drejtohen deri te Ministria e Financave për pëlqim dhe së bashku me kërkesën duhet të paraqesin kontratat për angazhim në punë dhe dëshmi për pagesën. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
