Thellohet bashkëpunimi Shqipëri-Maqedoni

11.02.2015 17:22

Maqedonia dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin ekonomik edhe në nivel lokal. Rajoni i Pollogut dhe i Korçës kanë krijuar platforma biznesi për avancimin e bashkëpunimit ekonomik të financuar nga Bashkimi Evropian...

Në platforma janë përfshirë sektori i turizmit, ndërtimit dhe tregtisë, bëjnë të ditur dy udhëheqësit e projektit, Lidhja e Odës Ekonomike e Maqedonisë dhe Instituti për Hulumtime Bashkëkohore nga Shqipëria.

“Angazhimet tona janë të drejtuara kah përmirësimi i shkëmbimit të informacioneve për aktivitetet ekonomike të dy vendeve, përforcimin e aktiviteteve për promovimin e importit dhe eksportit, ofertës së përbashkët turistike, përforcimit të kontrollit të cilësisë, si dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”- deklaroi nënkryetari i Lidhjes së OEM-së, Sead Koçan.

Të dyja vendet paralelisht kanë zhvilluar studim, ku janë identifikuar barrierat për zhvillim të biznesit si në dogana, por edhe paketat fiskale që u ofrohen ndërmarrjeve.

“Identifikimi i këtyre problematikave dhe prurja përpara organizatave dhe institucioneve përkatëse për zgjidhje ka qenë një hap më tej që ky projekt ka ofruar”- tha koordinatorja e projektit nga Korça, Delina Nano.

Sipas informacioneve aktuale, shkëmbimi tregtar Maqedoni-Shqipëri nuk është në nivelin e duhur. Ministrat e ekonomisë dhe pushtetit vendor thonë se me bashkëpunimin e ndërmarrjeve të të dyja vendeve do të rritet eksporti dhe importi i ndërsjellë.

“Me realizime të këtyre projekteve do ndihmojmë që ky këmbim tregtar të ketë rritje në periudhën e ardhshme dhe kësi lloj bashkëpunime do të krijojnë bazë në zhvillimin ekonomik midis dy vendeve”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

“Ministria e Pushtetit Lokal, përmes këtij instrumenti të BE-së, ka realizuar vetëm me Shqipërinë 47 projekte nga sfera të ndryshme, duke filluar nga infrastruktura, ekologjia, kultura e deri te ky projekt, i cili ka të bëjë me shkëmbimin e informacioneve. Në nivel të shtetit, me katër vende fqinje kemi realizuar mbi 200 projekte”- u shpreh ministri i Pushtetit Vendor, Lirim Shabani.

Projekti për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik në rajonin tejkufitar midis Maqedonisë dhe Shqipërisë është duke u realizuar tanimë dy vite. Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav, tha se BE do të vazhdojë të mbështes bashkëpunimet e tilla deri në 2020-ën me fonde që kapin vlerën prej 12 milionë euro. (Meral Ismaili, TVM2)