Maqedoni

Korridori 8, investim më i madh kapital në historinë e vendit

04.04.2023 13:45

Korridori 8 kap vlerën totale prej 1.3 miliard euro dhe njëherit është më i shtrenjti që nga pavarësia e vendit....

Korridori 8 kap vlerën totale prej 1.3 miliard euro dhe njëherit është më i shtrenjti që nga pavarësia e vendit. Ky projekt  do të lehtësojë mënyrën e transportit dhe importit të mallrave dhe do të shkurtojë edhe diferencën kohore. Projekti i Korridorit 8 do të shtrihet në gjatësi prej 68 km edhe atë autostradë me 6 korsi, që do të lidhë Tetovën me Gostivarin, Kërçovën, Strugën e deri në Qafë Thanë, ndërsa Korridori 10-D, në gjatësi prej 40 km autostradë me 6 korsi, që do të lidhë Prilepin me Manastirin. Ndërtimi i  Korridori 8 dhe ai 10-D, do të finalizohet në periudhë prej 6 viteve që nga fillimi i punimeve. 
 
Realizimi i këtij investimi më të madh kapital në historinë e vendit tonë do të kontribuojë në ekonominë, modernizimin e infrastrukturës rrugore, e në të ardhmen do të mundësojë zhvillim shtesë të shërbimeve, kushte më të mira për zhvillimin e biznesit, jetë cilësore dhe lidhje me fqinjët dhe korridoret ndërkombëtare. Autoritetet shqiptare në Qeverinë e RMV-së kanë njoftuar se pas Korridorit 8-të do të angazhohen në përfundimin e rrugës, Shkup-Bllacë, realizimin e projektit “One Stop Shop”, me Shqipërinë dhe një sërë projektesh tjera, që do të lehtësojnë edhe më shumë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave. 
 
FLUTURA LATIFI