Maqedoni

Aggeler: Korridori 8 i rëndësishëm edhe për ShBA-të

04.04.2023 14:04

Ndërtimi i korridorit 8 është projekt i rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin...

Ndërtimi i korridorit 8 është projekt i rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin, por edhe për ShBA-të, tha ambasadorja amerikane e angazhuar në Shkup, Angela Aggeler. Sipas saj korridori 8 është investim në ardhmërinë e vendit dhe rajonit.
 
“Ky është më tepër se sa një investim i thjesht në rrugët e Maqedonisë së Veriut, ky është investim në ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë vendeve të lidhura me korridorin 8 dhe më gjerë. Kam besim se ndërtimi do të zhvillohet shpejtë dhe me sukses, duke afruar njerëzit e këtij rajoni më afër njëri-tjetrit.”, - deklaroi ambasadorja e ShBA-ve në RMV, Angela Aggeler.
 
Korridori 8 Ahmeti: Ky projekt është një mrekulli
 
Nisjen e projektit e përshëndetën edhe krerët e partive politike shqiptare në qeveri. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, korridorin 8 e simbolizoi si një mrekulli, me të cilën do të përafrohen popujt në rajonin e Ballkanit Perëndimor. 
 
“Të bësh më të mirë jetën e njerëzve, lëvizjen e tyre, të përparosh dhe ndikosh drejtpërsëdrejti në zhvillim e ekonomisë, e sidomos të lidhesh me ura e brigje një Ballkan të tërë është punë e ndritshme, që do të shërbej edhe më tepër në lidhje më të forta miqësore, ekonomike e zhvillimore. Kjo është mrekullia!”, - theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Taravari: Forcon komunikimin mes popujve
 
Edhe kryetari i ASh-së, Arben Taravari, vlerëson se nëpërmjet këtij projekti do të forcohet komunikimi mes njerëzve dhe shkëmbimi tregtar mes shteteve. 
 
“Një thënie thotë: “Një shtet është i zhvilluar sa ka rrugë”  apo një tjetër thotë se “Mbretëresha e komunikimit janë rrugët”. Nisur nga kjo, është shumë e rëndësishme për rajonin, por edhe për RMV-në. Në qoftë se nisemi se ky projekt nuk i lidh vetëm qytetet, por edhe shtetet, është një ndër investimet më të rëndësishme për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut.”, - u shpreh kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
 
Autoritetet thanë se presin që ky projekt të finalizohet me sukses sipas afatit të paraparë. 
 
ERSAN PAJAZITI