“Bomba” e përgjimeve, flet presidenca, heshtin institucionet e tjera

11.02.2015 17:33

Tre ditë pas shpërthimit të “bombës” së LSDM-së, ku filloi publikimi i një pjese të audio xhirimeve nga përgjimi i mbi 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë, institucionet vendore i ka kapluar heshtja...

Për projektin opozitar “E vërteta mbi Maqedoni”, deri më tani nuk ka reagim as nga qeveria e as nga kryeministri, Nikolla Gruevski.

Mbrëmë, LSDM-ja ka dorëzuar padi me materialet e përgjimeve. Prokuroria edhe sot vazhdon të heshtë. Socialdemokratët i rekomandojnë prokurorit publik, Marko Zvarlevskit, që të përcjellë edhe mediumet e tjera përveç atyre pro-qeveritare, që të kuptojnë se diçka po ndodhë në vend.

“Për shkak se ne respektojmë këtë vend, detyra jonë është që deri te institucionet kompetente të dorëzojmë procedurat e nevojshme, që të mbetet gjurmë. Është skandaloze që për një person i cili pretendon se është prokuror publik, duke bërë dallim serioz mes tij dhe të punësuarve të tjerë profesionist në Prokurorinë Publike, për një skandal kaq të madh të thotë se nuk ka dëgjuar”- deklaroi  zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.

Reagim të vetëm kemi nga kreu i shtetit, Gjorge Ivanov, nga kabineti i të cilit njoftojnë se presidenti inkurajon organet kompetente për veprim të shpejtë dhe efikas në zbardhjen e plotë të rasteve të fundit, që kanë të bëjnë me “bombën” dhe “puçin”. 

“Mbështesim organet shtetërore të hetojnë nëse aktiviteti i tillë është në kundërshtim me kushtetutën dhe njëkohësisht autorët e veprës penale të përgjimeve të sanksionohen sipas ligjit. Iu bëj thirrje subjekteve politike të sillen në mënyrë të matur dhe me përgjegjësi, në përputhje me interesat e qytetarëve dhe shtetit. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të dëshmojnë se përcaktimet e tyre programore janë në interes të demokracisë së Maqedonisë. Si shtet demokratik duhet doemos të dëshmojmë pjekuri para sfidave që paraqiten në shoqërinë tonë”- thuhet në reagimin e presidencës.

Në reagim, më tej, thuhet se roli i mediave në një shoqëri demokratike është që të njoftojnë për të gjitha ato që i rrënon proceset demokratike dhe për gjithë atë që është në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe se për këtë kanë mbështetjen e plotë të kreut të shtetit. (Sanije Kasami, TVM2)