Maqedoni

Organizatorët e 27 prillit në rigjykim, përplasje mes Gjykatës Penale dhe asaj të Apelit

04.04.2023 15:18

Rasti me anulimin e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e saj në rigjykim për "Organizatorët e 27 prillit në Kuvend"...

Rasti me anulimin e vendimit të shkallës së parë dhe kthimin e saj në rigjykim për "Organizatorët  e 27 prillit në Kuvend" nga ana e Gjykatës së Apelit, është i fundit, sa i përket rasteve të njohura për opinionin, ku të akuzuar janë ish-funksionarë të lartë. Me këtë rast, Gjykata Penale ka akuzuar Gjykatën e Apelit se ka zvarritur procedurën dhe nuk ka vepruar për një vit. Theksojnë se duhet të kihet parasysh se me shfuqizimin e vendimit dhe kthimin e saj në rigjykim bëhen shpenzime shtesë, stërzgjatje dhe rrezikimin e së drejtës për gjykim në afat të arsyeshëm që është në dëm të të gjithëve. 
Në këtë rast, Apeli duhet të mbaje llogari edhe për vjetërsimin e lëndës, thonë nga Gjykata Penale. 
 
“Gjykatësit e Apelit, në vend që në mënyrë administrative t’i kthejnë lëndët në dokumentim ose në rigjykim dhe më shumë se një vit të mos veprojnë për të njëjtat, kanë mundësi ligjore, por edhe detyrim, në mënyrë meritore të vendosin me çka do të kontribuojnë në luftën me krimin e organizuar dhe drejtësi të shpejtë dhe efikase që është angazhim i gjithë shtetit dhe parakusht për Progresin evropian", reagojnë nga Gjykata Themelore Penale në Shkup. 
 
Gjykata penale bën thirrje mediave dhe opinionit profesional që të analizojnë ku dhe për shkak të cilave “shkelje thelbësore” lëndët me vite presin të marrin formën e prerë dhe vjetrohen, ndërsa qytetarët e humbin besimin në gjyqësor. Nga ana tjetër, Apeli konsideron se gjykatat nuk duhet të fajësojnë njëra-tjetrën dhe se i takon Apelit t'i japë udhëzime gjykatës së shkallës së parë dhe jo anasjelltas.
 
“Qëndrimi i Gjykatës Penale është i tyre. Por, kundër vendimit të Apelit nuk ka asgjë për të shprehur mendim. Gjykatat nuk mund të komunikojnë në atë mënyrë, për të gjetur fajin e njëra-tjetrës. Apeli në bazë të ligjit ka autorizim të sjellë aktvendime, gjegjësisht vendime, të anulojë vendim, të japë udhëzim dhe ta shpjegojë atë.", theksojnë nga Gjykata e Apelit.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI