Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese sipas modelit kroat, Mickoski: Në duel ose takim liderësh, jo grupe pune

04.04.2023 15:40

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, fton kryeministrin Dimitar Kovaçevski...

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, fton kryeministrin Dimitar Kovaçevski në përballje apo takim liderësh për të diskutuar modelin kroat të kushtetutës, sipas të cilit karakteri kombëtarë do të përmbyste karakterin multietnik të shtetit. Mickoski kundërshton formimin e grupeve të punës, duke e vlerësuar jo qenësor për momentin. Propozimin për modelin kroat Mickoski do ta dorëzojë në kuvend pas hapjes së iniciativës për ndryshimet kushtetuese.
 
“Ja tani po ofrojmë konsensus, konsensus rreth modelit kroat, publikisht pa u mbyllur, pa ndenjur nëpër zyra, pa fshehur asgjë nga opinioni. Të ulemi dhe ta përmbyllim punën sikurse është preambula në kushtetutën kroate, ashtu ta bëjmë preambulën në kushtetutën maqedonase. Jemi në dispozicion, duan në duel, atëherë në duel do ta flasim, duan takim liderësh, do ta flasim në takim liderësh, ku duan aty do ta flasim, nuk kemi se çfarë të fshehim. Pasi të kalojë faza e parë atëherë formohen grupet e punës. Tani ne mund që të formojmë miliarda grupe pune me lloj-lloj çështjesh, por nuk kanë efekt thelbësor.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Grupet e punës, Ministria e Drejtësisë shpallë thirrje për pjesëmarrje
 
Kryeministri Dimitar Kovaçevski veç më është prononcuar se s’do të thërras takim liderësh. Ndërkohë Ministria e Drejtësisë shpalli thirrjen deri tek partitë politike dhe institucionet për t’u prononcuar deri më 10 prill për pjesëmarrje në grupet e punës.
 
“Në interes të përmbushjes së obligimit tonë, i cili del nga korniza negociuese, të cilën e kanë miratuar 27 vende anëtare të BE-së, nevojitet unifikim politik me qëllim që të garantohet perspektiva evropiane e vendit tonë.”, thuhet në shpalljen e Ministrisë së Drejtësisë.    
 
Ndryshimet kushtetuese, Taravari: Janë të patjetërsueshme
 
Ndërkohë kryetari i ASh-së, Arben Taravari, ka deklaruar se ndryshimet kushtetuese janë vendimtare për fillimin e negociatave.
 
“Nuk është vetëm insistimi ynë, por shumica e faktorëve të jashtëm politikë që e kanë mbështetur Maqedoninë në integrimet evropiane në 30 muajt e fundit. Kjo shihet në deklaratat e ambasadorëve dhe ministrave të jashtëm, të cilët kanë besuar se Maqedonia dhe Shqipëria duhet të fillojnë negociatat së bashku.”, - theksoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
 
Për qeverinë përfshirja e bullgarëve mbetet prioritet, duke lënë anash kërkesat e një pjese të partive shqiptare për heqjen e 20% nga preambula e kushtetutës.
 
MERAL ISMAILI