Botë

Finlanda, zyrtarisht anëtare e NATO-s

04.04.2023 16:02

Finlanda është zyrtarisht anëtarja e 31-të e NATO-s....

Finlanda është zyrtarisht anëtarja e 31-të e NATO-s. Presidenti Sauli Niinisto thotë se kjo do ta bëjë vendin më të sigurt. Njeriu i parë i Aleancës, Jens Stoltemberg konsideroi se kjo nuk është e rëndësishme vetëm për aleancën, por edhe për Skandinavinë dhe vendet baltike.
 
“Jam krenar që jam sekretar i përgjithshëm i Aleancës në një kohë kur Finlanda po bëhet anëtare e plotë. Është e rëndësishme për NATO-n, është e rëndësishme për Finlandën, është e rëndësishme për rajonet nordike dhe baltike. Mund të shikoni hartën dhe të kuptoni se sa e rëndësishme është siguria e Finlandës për atë rajon.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. 
 
Edhe finlandezët besojnë se me anëtarësimin në NATO do të ndihen më të sigurt.
 
“Ne jemi mbështetur në pavarësinë dhe neutralitetin tonë për një kohë të gjatë, por kemi kuptuar se kjo nuk është rruga e së ardhmes. Tani duhet të kërkojmë opsione të reja.”, - tha një qytetar.
 
“Unë mendoj se nuk do të ndjejmë ndonjë ndryshim në ditët në vijim. Asgjë nuk do të ndryshojë brenda pak ditësh.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Është më e sigurt të jetosh këtu në Finlandë si pjesë e NATO-s, sepse ne kemi një kufi të gjatë me Rusinë. Dhe ne nuk besonim se ai kufi ishte i sigurt dhe i ruajtur mirë.”, - u shpreh një qytetar.
 
Më 30 mars, parlamenti turk ratifikoi hyrjen e Finlandës në NATO, me të gjithë 276 anëtarët e pranishëm që votuan pro. Vendimi hyri në fuqi më 1 prill, duke hequr pengesën e fundit për hyrjen e vendit nordik në aleancë. Kërkesë për anëtarsim në NATO ka paraqitur edhe Suedia, por ende nuk ka konsensus, për shkak të vetos turke.
 
“Suedia nuk ka mbetur vetëm. Ne do të bëjmë edhe më shumë sa më shpejt të jetë e mundur dhe më pas do të finalizojmë edhe procesin zyrtar të anëtarësimit.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. 
 
Turqia akuzon Suedinë se strehon anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, të cilën Ankaraja e konsideron një grup terrorist.
 
BELINDA KOKA ADEMI