Maqedoni
Vënia e gurthemelit të Korridorit 8, opozita skeptike, hedh dyshime për keqpërdorime
04.04.2023 16:46
Opozita nuk e ka mirëpritur fillimin e punimeve për ndërtimin e Korridorit 8....

Opozita nuk e ka mirëpritur fillimin e punimeve për ndërtimin e Korridorit 8. Partia opozitare, VMRO-DPMNE ka hedhur dyshimet e saj që në fillim të këtij projekti. Kreu i saj, Hristijan Mickovski, konteston tenderimin për mbikëqyrjen e Korridorit 8 dhe 10-D, ku sipas tij janë keqpërdorë rreth 30 milionë euro. Kërcënoi zyrtarët e përfshirë se së shpejti do të dalin para drejtësisë.
“Besoni se do të vijë dita kur do të japin deklaratë, pasi të harxhohen 30 milionë euro, para të qytetarëve, të hidhen në erë në një kompani që ka kapital në lindje, veprimtaria kryesore e nënkontraktuesit të të cilit është prodhimi i veshjeve të brendshme. Kjo është e tepërt. Unë ju premtoj se do të vijë ajo ditë kur këta njerëz do të japin deklaratë para prokurorit publik.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Lëvizja “Besa” konsideron se projekti ka prapavijë elektorale pasi, sipas tyre, Qeveria promovon projekte të mëdha në prag të zgjedhjeve parlamentare. Dyshojnë se ndërtimi i këtij projekti mund të realizohet brenda afateve.
“Qytetarët janë të lodhur nga promovime të projekteve pompoze shumëmilionëshe, që fillohen dhe pastaj assesi të përfundohen, siç ishte rasti edhe me promovimin e investimit të madh në zonën e lirë ekonomike në Tetovë ku eksponentët e qeverisë paralajmëruan se punimet do të fillojnë në muajin mars, ndërkaq ne jemi në muajin prill dhe punimet ende nuk kanë filluar.”, - theksoi sekretari i Lëvizjes “Besa”, Abdush Demiri.
Ndërtimi i Korridorit 8 dhe 10-D konsiderohen si investimi më i madh infrastrukturor, në 30 vitet e fundit, i cili do të kushtojë 1.3 miliardë euro. Korridori kalon në zona të banuara kryesisht me shqiptarë dhe do të shkurtojë distancën për dalje në Detin Adriatik.
SHPËTIM NUREDINI
