Botë
Vazhdojnë betejat për Bakhmudin, Zelenky: Situatë e tensionuar, evakuojmë civilët
04.04.2023 18:14
Forcat e Ukrainës vazhdojnë të luftojnë për mbrojtjen e Bakhmudit...

Forcat e Ukrainës vazhdojnë të luftojnë për mbrojtjen e Bakhmudit, i cili është rrethuar prej forcave ruse nga të gjitha anët. Rruga që të çon nga Chasiv Yar për në qytet, është e vetmja rrugë e hapur për mbrojtjen e Ukrainës, e njëjta është vazhdimisht e zënë me lëvizjen e automjeteve që transportojnë ushtarë, furnizime dhe së fundmi civilët e ngujuar në zonat e luftës.
Presidenti Zelenskyy pranoi se situata është shumë e tensionuar dhe se ushtria ukrainase evakuon civilët e pakët që kanë mbetur.
“Situata në Bakhmud, Avdiivka, Maryinka dhe në të gjithë rajonin e Donetskut është mjaft e tensionuar. Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar për të zmbrapsur armikun. Banorët që kanë mbetur të ngujuar për shkak të luftimeve, ushtria ukrainase përpiqet që t’i evakuojë civilët nga zona e konfliktit.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra, por presidenti rus Vlladimir Putin, tha se ka vendosur masa për zhvillimin e një shteti sovran dhe nuk shqetësohet për sanksionet e perëndimit.
"Ne të gjithë e kuptojmë se sanksionet janë për një kohë të gjatë, natyrisht, kështu që së bashku me masat prioritare për të zëvendësuar teknologjitë dhe produktet e importuara, këtu nevojiten transformime afatmesme dhe afatgjata. Është e nevojshme të hartohen masa për zhvillimin sovran të vendit në afat të gjatë.”, - theksoi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Rusia gjithashtu ka sulmuar me dronët iranian Shahed edhe rajonin jugperëndimor të Odesës, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile, njoftoi ushtria ukrainase. Më shumë se 500 fëmijë janë vrarë në Ukrainë dhe mbi 1.000 të tjerë janë plagosur, që kur Rusia nisi agresionin kundër fqinjit të saj, thuhet në raportin e publikuar të UNICEF-it.
FARIJE DAUTI BAKIJU
