Maqedoni
Ndikimi i temperaturave te pemët, Sinani: Në fazën e lulëzimit, dëmet nuk janë aq të mëdha
05.04.2023 14:22
Aktualisht vendi është ndikuar nga kushte të paqëndrueshme atmosferike...

Aktualisht vendi është ndikuar nga kushte të paqëndrueshme atmosferike, ku një pjesë e konsiderueshme e vendit, po përjeton temperatura mjaft të ulëta dhe me të reshura të borës. Efekti i temperaturave të ulëta pranverore tek pemët varet nga gjatësia e ekspozimit, si dhe faza e zhvillimit të luleve.
“Ka ndryshuar klima dhe dëmet disa vite e radhë janë goxha të mëdha. Sa i përket uljes së temperaturave, temperaturat që paraqiten prej zero deri në minus 2 gradë në fazën e lulëzimit, dëmet nuk janë aq të mëdha. Dëmtimet janë jo shumë të theksuara. Mirëpo, nëse është faza e frytdhënies, atëherë është mjaft e rrezikuar. D.m.th. deri në dy gradë mund t’i dëmtojë pemët frutore.”, - deklaroi agronomi, Abdilgafar Sinani.
Sipas agronomit Sinani, në mungesë të sistemeve moderne të mbrojtjes, tymi ose mjegullimi i një pemishte është masa më e sigurt e luftës kundrejt ngricave të vonshme pranverore. Kjo është mënyra më e lirë dhe suksesi arrihet nëse temperaturat e ftohta nuk janë aq të forta, sepse në këtë mënyrë temperatura reduktohet në 1.5°C.
“Ata duhet të organizohen dhe të përdoret kashta si zakonisht që përdoret që të krijohet një mjegull, e cila mund t’i mbrojë pemët nga ngricat. Në bujqësinë e zhvilluar siç është Italia, bëhet në mënyra tjera ajo. I kanë sistemet e ujitjes në formë shiut dhe uji është një termo rregullator mjaft i mirë për ruajtjen e temperaturave. Rëndë d.m.th. e pranon temperaturën dhe rëndë e lëshon dhe në këtë formë mbrohen.”, - theksoi agronomi, Abdilgafar Sinani.
Sipas agronomëve kultivuesit e pemëve, në mënyrë që të shmangin humbjet për shkak të kushteve duhet të përdorin të dy masat e përmendura më lartë. Zbatimi i këtyre dy masave ndihmon fermerët për të zvogëluar humbjet në nivel të pranueshëm.
SAFET ADEMI
