Botë
Krasniqi: Asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në vrasje
05.04.2023 14:37
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi...

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm për akuzat e Speciales ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Krasniqi në ditën e tretë të seancës gjyqësore në dhomat e specializuara të Kosovës me seli në Hagë, ka deklaruar se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje apo çfarëdo presioni ndaj askujt.
“Unë, Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, në asnjë burgosje, në asnjë formë të presionit.”, - deklaroi Jakup Krasniqi.
Persekutimi i anëtarëve të LDK-së, Krasniqi: Edhe vet kam qenë anëtarë i LDK-së
Krasniqi e quajti absurde që ai të akuzohet për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, pasi tha se edhe vetë ishte anëtar i LDK-së.
“Unë vetë isha anëtar i LDK-së. Familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së. Bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e mi ish-anëtarë të LDK-së. Vetëm një mendjeje të çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se unë kam mundur të isha pjesë e persekutimit të familjarëve dhe bashkëluftëtarëve të mi.”, - theksoi Jakup Krasniqi.
Krasniqi: Me deklaratat e mia kam tentuar të afirmoj luftën
Ai tha se si zëdhënës i UÇK-së deklaratat e tij kanë qenë në funksion të propagandës në funksion të ngjalljes së shpresave për luftën çlirimtare.
“Në rolin tim si zëdhënës i UÇK-së jam përpjekur të krijoj përshtypjen se jemi një struturë e organizuar mirë, sepse kjo ishte mënyra e vetme për të mbajtur gjallë shpresat për rezistencë të mirëfilltë, prandaj deklaratat e mia duhet të shihen në funksion të propagandës për ta afirmuar luftën tonë çlirimtare.”, - u shpreh Jakup Krasniqi.
Krasniqi njëherit i ka kërkuar nga trupi gjykues që të mos merren për bazë si prova kundër tij librat e tij, komunikatat që kishin qëllim të propagandonin për të motivuar njerëzit t’i bashkoheshin UÇK-së dhe të mos keqpërdoreshin materialet, përfshirë letrat e tij nga burgu. Ai ka përshkruar torturat që ka përjetuar nga regjimi serb dhe pastaj ka shtuar se përmbajtja e aktakuzës e kanë lënduar më shumë sesa torturat serbe.
GYLTENE SINANI
