Botë

Arrestohet ish-presidenti amerikan, 34 vepra penale rëndojnë mbi Trump

05.04.2023 17:07

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, të martën doli para gjyqit pasi u arrestua...

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, të martën doli para gjyqit pasi u arrestua dhe më pas u akuzua për 34 akuza për mashtrim. Ish-presidenti dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kanë bërë pagesa për të blerë heshtjen e tre individëve gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2016.
 
Pagesat, thotë aktpadia, u bënë për të blerë heshtjen e dy grave që pretendojnë se kanë pasur marrëdhënie intime me Trump-in, shumë vite më parë dhe një pagesë për të blerë heshtjen e një punonjësi të kullës Trump, i cili pretendonte se ish-presidenti kishte një fëmijë në një lidhje jashtëmartesore.
 
Trump është akuzuar se në mesin e 34 veprave penale është edhe ajo e falsifikimit të të dhënave të biznesit. 
 
“Pavarësisht se kush jeni, ne nuk mund dhe nuk do të normalizojmë sjellje të rënda kriminale. I pandehuri ka bërë vazhdimisht deklarata të rreme në të dhënat e biznesit të Nju Jorkut. Ai gjithashtu detyroi që edhe të tjerët të bënin deklarata të rreme. Provat të tregojnë se ai e bëri këtë për të mbuluar krimet në lidhje me zgjedhjet e vitit 2016.”, - deklaroi prokurori i qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg.
 
Trump mohoi akuzat, ndërsa i quajti si të fundit në “sulmet me hetime mashtruese”.
 
“Ky rast i rremë (aktpadia) u ngrit vetëm për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2024 dhe duhet të mbyllet menjëherë. Nuk kam menduar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhte në Amerikë. Krimi i vetëm që kam kryer ka qenë mbrojtja pa frikë e vendit tonë ndaj atyre që kërkojnë ta shkatërrojnë atë.”, - theksoi ish-presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.
 
Por, aktorja Stormy Daniels thotë se dy javë para zgjedhjeve presidenciale, avokati i Trump-it, Michael Cohen i dërgoi 130.000 USD që të qëndrojë e heshtur, por tani ajo thotë se ka vendosur ta tregojë ngjarjen.
 
“Unë dhe avokati im jemi të përkushtuar për t'u siguruar se do ta zbulojmë të vërtetën dhe faktet e asaj që ka ndodhur dhe unë jap fjalën që nuk do të pushojmë derisa të ndodhë kjo.”, - u shpreh aktorja, Stormy Daniels. 
 
Pas arrestimit ka pasur edhe protesta në mbështetje të Donald Trump-it.  Edhe shumica e republikanëve që po kandidojnë për Shtëpinë e Bardhë ose që kanë në plan të shpallin kandidaturën, kanë shprehur mbështetjen për ish-presidentin Trump. Ai u bë ish-presidenti i parë amerikan që u arrestua për akuza penale.
 
 FARIJE DAUTI BAKIJU