Botë
Kurti: Gjatë prillit do të takoj presidentin serb Vuçiq,
06.04.2023 12:21
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se këtë muaj do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se këtë muaj do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, ai ka insistuar se fillimisht duhet të zbatohet e gjithë marrëveshja dhe specifikisht pika e dhjetë, e cila flet për personat e zhdukur me dhunë.
“Së pari, ne do t’i analizojmë së bashku me zëvendëskryeministrin Bislimi, rezultatet nga takimi që është zhvilluar në Bruksel më 4 prill dhe pastaj do ta përcaktojmë një ecje përpara për muajin prill brenda së cilit do të ketë një takim të nivelit të lartë, mirëpo edhe njëherë po e ritheksoj se duhet të zbatohet e gjithë marrëveshja e në kuadër të marrëveshjes kemi një nen, i 10-ti që është për zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme. Por, si një çështje urgjente në aneksin e zbatimit që u dakordua në Ohër parashihet pikërisht çështja e të pagjeturve nga lufta, përkatësisht të zhdukurit me dhunë.”, - deklaroi kryeministri i RKS-së Albin Kurti.
Bislimi: Ka 5 kritere për ushtrimin e vetëmenaxhimit
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka raportuar lidhur me procesin e dialogut me Serbinë në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, pasi të martën u takua me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku janë dakorduar për deklaratën e çështjes së personave të zhdukur me dhunë. Po ashtu, Bislimi, tha se ka një pajtim të plotë në Bruksel për pesë kriteret përmes të cilave do të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti i statutit për ushtrimin e vetëmenaxhimit.
“E para, do të shihet a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm. E treta në ç’masë është drafti i statutit në harmoni me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. E katërta, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, si dhe e pesta në ç’masë është në harmoni me letrën që ish-përfaqësuesja e lartë, Federika Mogherini, i ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni.”, - theksoi zëvendëskryeministri i RKS-së, Besnik Bislimi.
Njëherit, zëvendëskryeministri Bislimi ka shprehur brengosjen e qeverisë së Kosovës se Serbia mund ta destabilizojë situatën, pas djegies së10 veturave me targa RKS ditët e fundit në veri të Kosovës.
GYLTENE SINANI
